Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar pas diskutimeve të shumta që po bëhen për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të muajit tetor, dhe pas kërkesës së kreut të LDK-së Lumir Abdixhikut për shkurtimin e fushatës zgjedhore nga 1 muaj në 10 ditë.
Cakolli ka thënë se shtyrja e zgjedhjeve nuk duhet të jetë fare opsion që duhet diskutuar, derisa potencon se fushata do të jetë shumë e lehtë që të zhvillohet duke u orientuar në rrejte sociale.
“Në vend të shtyrjes së zgjedhjeve ose shkurtimit të periudhës së fushatës, duhet që të kufizohet lloji i akiviteteve të fushatës, duke mos lejuar numër të madh të qytetarëve në tubime, apo duke i ndaluar tërësisht ato. Sepse ato paraqesin problemin kryesor. Mjafton vetëm të organizohen më shumë debate televizive, e fushata të orientohet nëpër rrjete sociale dhe platforma tjera të komunikimit elektronik”, ka shkruar Cakolli.
Derisa ka kujtuar marsin e vitit 2020 kur ishin shtyrë zgjedhjet për Podujevën dhe Mitrovicën e Veriut. Ai thotë se atë kohë s’kishte pasur njohuri për virusin.
“Kur në mars të vitit 2020 ishte marrë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë e pastaj në Mitrovicë të Veriut, kjo ishte bërë sepse as nuk e njihnim virusin, as nuk dinim si të mbroheshim prej tij, e as nuk kishim protokolle për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë pandemie. Në atë kohë madje ishim në e mesin e dhjetëra shteteve që i kishin shtyrë zgjedhjet për shkak të pandemisë”, ka shtuar Cakolli.
Ka qenë kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, që ka kërkuar shkurtimin e fushatës zgjedhore. Kërkesës së Abdixhikut i janë përgjigjur pozitivisht edhe krerët e partive opozitare. Kësaj iniciative së fundi i është bashkuar edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Në emisionin DPT te Fidani, Konjufca ka thënë se pajtohet me deklaratat e kreut të LDK’së Lumir Abdixhiku dhe atij të PDK’së, Memli Krasniqi, për fushatën zgjedhore.
“Fushata zgjedhore jo vetëm që duhet të shkurtohet por unë do të thoja ndoshta të hiqet krejt për shkak të pandemisë”, ka thënë Konjufca.
Megjithatë Konjufca ka shkuar edhe një hap më tutje, duke thënë se nëse do të pyetej personalisht ai, do të kërkonte që të shtyheshin zgjedhjet komunale.