Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaTalebanët pretendojnë fitore në Luginën Panjshir

Talebanët pretendojnë fitore në Luginën Panjshir

Talebanët njoftuan të hënën se e kanë pushtuar Luginën veriore Panjshir, duke i dhënë fund rezistencës së vetme të armatosur ndaj sundimit të tyre në Afganistan.

“Kjo fitore i jep fund luftës në mbarë vendin dhe hap rrugën për një jetë paqësore dhe përparim në një atmosferë pavarësie”, tha në një deklaratë zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga forca opozitare, e njohur si Fronti i Rezistencës Kombëtare, (NRF) udhëhequr nga komandanti Ahmad Massoud.

Talebanët e shpallën fitoren disa orë pasi Ahmad Massoud tha se i mirëpriste propozimet e dijetarëve fetarë për bisedime paqësore me talebanët, nëse ata tërhiqnin forcat e tyre nga vendlindja e tij, Panjshir.

Ahmad Massoud e bëri ofertën përmes një postimi në faqen e organizatës së tij në Facebook në ditën kur forcat talebane pretenduan se kishin hapur rrugën për në kryeqytetin e provincës, Bazarak, pasi pushtuan pjesën tjetër të provincës.

Burime të shumta konfirmuan gjithashtu vrasjen e zëdhënësit zyrtar të NRF-së, Fahim Dashty, së bashku me kushëririn e Massoudit, gjeneralin Abdul Wudood, gjatë luftimeve të së dielës.

“Fronti Kombëtar i Rezistencës është gati të ndalojë luftimet menjëherë në mënyrë që të arrijë paqe të qëndrueshme, nëse grupi taleban përfundon sulmet dhe lëvizjet e tij ushtarake në Panjshir dhe Andarab”, thuhet në postimin në Facebook duke cituar Massoudin. Andarabi është një zonë në provincën fqinje Baghlan dhe shtrihet në hyrje të Panjshirit.

Deklarata e Massoudit ishte përgjigje e raportimeve në mediat afgane që thanë se një këshill i dijetarëve fetarë u kishte bërë thirrje talebanëve të pranonin një marrëveshje të negociuar për t’u dhënë fund luftimeve.

Panjshiri është zona e fundit e mbetur e rezistencës së armatosur ndaj sundimit të talebanëve që kur ata pushtuan 33 provincat e tjera afgane, përfshirë kryeqytetin, Kabulin, muajin e kaluar në një goditje të rrufeshme, ndërsa forcat qeveritare të stërvitura nga perëndimi u rrëzuan dhe presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi.

Por, një javë më vonë NRF-ja, në të cilën janë përfshirë pjesëtarë të forcave afgane të sigurimit të stërvitur nga Shtetet e Bashkuara dhe milicitë fisnore lokale, rimori Andarabin dhe dy rrethe të tjera ngjitur në Baghlan.

Talebanët e dënuan sulmin si një shkelje të amnistisë së tyre të përgjithshme për të gjithë pjesëtarët dhe politikanët e qeverisë së përmbysur afgane. Ata në mënyrë të përsëritur u kishin kërkuar udhëheqësve të NRF-së që të dorëzojnë armët dhe të gjejnë një zgjidhje të negociuar.

Bisedimet përfundimisht u ndërprenë, ndërsa secila palë fajësoi tjetrën për dështimin e tyre, duke bërë që talebanët të ndërmarrin një ofensivë të madhe disa ditë më parë për të rimarrë zonat e humbura.

Përparimet gjithashtu u hapën rrugën talebanëve të sulmonin dhe të hynin në Panjshir, shtëpi e pakicës etnike taxhike të vendit që shtrihet në veri të kryeqytetit, Kabul.

Në postimet në rrjetet sociale, zyrtarët talebanë, duke iu përgjigjur ofertës me kushte të bisedimeve, thanë se forcat e tyre po vazhdonin përpara me ofensivën për të pastruar Panjshirin nga rezistenca e armatosur, duke shtuar se luftimet po vazhdonin brenda Bazarakut.

Pretendimi nuk mund të vërtetohej nga burime të pavarura, dhe të dyja palët kundërshtare kanë publikuar të dhëna të fryra mbi përfitimet e tyre që nga shpërthimi i luftimeve.

Babai i Massoudit mbrojti me sukses provincën në kohën kur talebanët sunduan pjesën më të madhe të Afganistanit nga viti 1996 deri në vitin 2001.

Mungesa e kontrollit mbi të gjithë Afganistanin me sa duket i ka penguar talebanët të shpallin një qeveri të re.

Grupi islamik është nën vëzhgimin ndërkombëtar për të përmbushur premtimet se sistemi i tyre i qeverisjes do të përfaqësojë të gjitha grupet etnike afgane dhe do të respektojë të drejtat e njeriut, veçanërisht ato të grave, ndryshe nga regjimi i tyre i mëparshëm i ashpër në Kabul.

Të shtunën, grupe të vogla të grave dolën në rrugë në Kabul dhe në pjesë të tjera të Afganistanit perëndimor, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre dhe përfaqësimin në qeverinë e re.

Luftëtarët talebanë shpërndanë një tubim të dhjetëra grave në kryeqytet për t’i penguar ato që të shkojnë në pallatin presidencial.

Pamjet në rrjetet sociale shfaqën demonstrueset që ishin përballur me luftëtarët e armatosur talebanë, duke mbuluar gojën dhe duke u kollitur, ndërsa një grua tha se rojet e sigurisë kishin përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë tubimin.

“Talebanët bllokojnë protestën me rrahje dhe gaz lotsjellës: për fat të keq, kjo është shumë e njohur për një grup që mbështetet në forcën brutale për të shtypur kundërshtimet”, shkroi në Twitter Patria Gossman, nga grupi Human Rights Watch.

Talebanët vendosën një sistem brutal të drejtësisë, ndaluan gratë nga puna dhe parandaluan vajzat e rritura që të shkollohen kur grupi fundamentalist mori pushtetin për herë të parë në Afganistan në vitin 1996.

Udhëheqësit talebanë, megjithatë, kanë premtuar se do të vendosin një qeveri gjithëpërfshirëse në Kabul, për të cilën thonë se do t’i lejojë gratë të punojnë dhe të shkollohen brenda kuadrit të ligjit islamik, ose Sheriatit. Shumë afganë dyshojnë në besueshmërinë e premtimeve të tyre.

“Do të jetë një sistem apo qeveri gjithëpërfshirëse e fortë qendrore dhe e qëndrueshme”, tha për Zërin e Amerikës të premten, Bilal Karimi, anëtar i komisionit kulturor të talebanëve

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments