Së paku 22.000 civilë janë vrarë nga sulmet ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në disa shtete të Lindjes së Mesme dhe në Afrikë gjatë dy dekadave të fundit, sipas vlerësimit të organizatës britanike për vëzhgimin e konflikteve, “Airwars”.
Në prag të përvjetorit të 20-të të sulmeve të 11 shtatorit ndaj Qendrës Tregtare Botërore dhe Pentagonit, organizata me seli në Londër e publikoi vlerësimin e vet rreth vdekjes së civilëve, për të cilën tha se mund të ketë shkuar në gati 50.000.
Në këto shifra përfshihen civilët e vrarë gjatë pushtimit të Afganistanit dhe Irakut si dhe nga fushatat e bombardimeve kundër ISIS-it në Irak e Siri, nga sulmet e shënjestruara në Libi, Pakistan, Somali dhe Jemen.
Viti më vdekjeprurës, sipas organizatës britanike, ishte viti 2003, kur së paku 5.529 civilë raportohet të jenë vrarë nga sulmet e Shteteve të Bashkuara, gati të gjithë gjatë pushtimit të Irakut.
Viti i dytë më vdekjeprurës vlerësohet të ketë qenë viti 2017 – viti i parë i Trumpit si president, kur së paku 4.931 civilë besohet të jenë vrarë, shumica gjatë bombardimeve të koalicionit ushtarak në Irak dhe Siri.
Raporti i organizatës “Airwars” citoi të dhëna nga disa burime, pasi Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara nuk i publikon plotësisht pasojat në civilë, të njohura nga agjencia.
Organizata britanike i citoi statistikat nga Misioni i Asistencës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan, Byroja e Gazetarisë Hulumtuese dhe projekti i vullnetarëve “Iraq Body Count”.