Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaDialogu teknik rikthehet nesër, kjo është agjenda e diskutimit

Dialogu teknik rikthehet nesër, kjo është agjenda e diskutimit

Dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të rikthehet nesër me raundin e ri të diskutimeve.

 

Në Bruksel, delegacioni i ekspertëve të Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, përgjatë dy ditëve, më 7 dhe 8 shtator do të paraqes pozicionin dhe kërkesat e Kosovës për çështjen e të zhdukurve me forcë, marrëveshjen mbi energjinë dhe atë të tabelave të veturave.

Këto dy të fundit do t’i paraqiten BE-së në takimin bilateral, ndërsa çështja e të zhdukurve do të jetë tema e vetme e diskutimit në takimin trelateral me drejtorin të ashtuquajturës zyre për Kosovë në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq.

Megjithatë, skepticizmi mbizotëron tek njohësit e procesit të dialogut për këtë raund të ri të dialogut.

Datën e takimeve dhe agjendën e diskutimit të raundit të ri të dialogut e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Takimet bilaterale dhe trelateralë të radhës në kuadër të procesit të dialogut, në të cilat do të marrë pjesë zv.kryeministri Bislimi priten të mbahen nesër dhe pasnesër, pra 7 dhe 8 shtator. Në takimin bilateral do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes mbi energjinë dhe atë të tabelave të veturave, si dhe për çështjen e të zhdukurve me forcë. Kurse në atë trelateral, presim që të diskutojmë vetëm për çështjen të zhdukurve me force, si e vetmja temë për të cilën jemi dakorduar”, tha ai përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Dialogun e tillë teknik e arsyeton Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, por thotë se janë të nevojshme vetëm për çështje të caktuara dhe të cilat nuk duhet të zgjasin në pafundësi.

“Dialogu teknik vjen si përcaktim i BE-së dhe pajtueshmëri të dy palëve që niveli teknik të shkojë në dy nivele, niveli teknik apo të ekspertëve dhe niveli i lartë politik me krerët e lartë të shtetit, përkatësisht kryeministrit dhe presidentit. Besoj që Kosova, pavarësisht kërkesave për biseda teknike, ato janë të nevojshme për t’u marrë vesh për çështje të caktuara që ndoshta nuk duhet të konsumohet kohë në nivelin e lartë, por besojmë se Kosovës i duhet zgjidhje politike pasi problemi është politik…Nuk ka nevojë në pafundësi të shkohet me dialog teknik dhe tema të caktuara. Por gjithsesi Kosova duhet të jetë e përgatitur edhe në këto nivele teknike, të ketë të qarta pozicionin dhe kërkesat”, thotë Fetahu.

Më skeptik ndaj këtyre takimeve teknike shprehet njohësi i procesit të dialogut, Dritëro Arifi, i cili se dialogu teknik është dashur të jetë më i avancuar në aspektin tematik dhe kohor.

Sipas tij, takimet teknike e kanë humbur kuptimin pasi nuk po ka rezultate.

“Niveli teknik është dashur të jetë shumë më i avancuar në aspektin tematik dhe kohor. Nëse flasim për të pagjeturit kur fillon dhe kur përfundon. Ne nuk po dimë se çfarë është diskutu këto 11 vjet për të pagjeturit, kjo i konvenon Serbisë, sa më shumë që të flasin për të pagjeturit, Serbia do ta prolongoj shumë më shumë…Takimet teknike veçse e kane humbur kuptimin e vet, absolutisht zero ka me pas rezultat sepse nuk kemi indikator matës…Ne duhet të shkojmë ne filane, finalen duhet ta kërkojmë sa më shpejt që është e mundur për shkak të ndryshimit edhe të strukturave të BE-së dhe ndryshimit të koncepteve”, shton Arifi.

Ky është takimi i dytë me radhë në nivelin e ekspertëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa, është paralajmëruar se në muajin shtator pritet të mbahen takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments