6 shtatori i vitit 1999 shënon një epokë të re në veçanti për sektorin e sigurisë.
Në këtë datë nisi krijimi i një institucioni kryesor që do të vihej në shërbim të sigurisë së qytetarëve.
Ajo është Policia e Kosovës e cila sot shënon 22 vjetorin e themelimit.
Për këtë në një intervistë për Klankosova.tv ka folur drejtori i parë i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti i cili tregoi në detaje sesi nisi të krijohet forca policore.
“Për ndërtimin e Policisë së Kosovës kontribut të madh kanë dhënë shtetet nga e gjithë bota. Këtu duhet ta përmendim drejtorin e parë Steve Bennet. Ky njëherit e ka themeluar edhe shkollën në Vushtrri ku kanë nisur të trajnohen edhe oficerët e gjeneratës së parë”.
Ai foli edhe edhe për sfidat që gjatë rrugës i ka kaluar policia.
“Sfidë e jona kryesore në fillim ka qenë bindja e qytetarëve se uniforma e policisë nuk është e keqe. Se ne jemi në shërbim të secilit pa dallim. Ka pasur hezitim që të pranohet policia për shkak të okupatorit serb, që ka shkaktuar trauma tek popullata. Uniforma është parë si diçka jo e mirë”.
“Kemi pasur natyrisht edhe sfida të tjera. E kemi pasur po ashtu vështirë në fillim që t’i bindim qytetarët se edhe femrat police janë të barabartë”.
“Sfidë ka qenë edhe shtrirja në tërë territorin e Kosovës. Sepse siç e dini policia jonë nuk ka qenë e pranuar në veriun e vendit”.
Ish-kreu i Policisë thekson se sot ky institucion ka njerëz të përgatitur dhe profesional.
“Sot pas 22 vjetësh policia ka zyrtarë të trajnuar dhe profesional. Zyrtarët e policisë janë trajnuar në gjitha vendet e botës, në Gjermani, Angli, SHBA. Një kontribut të madh në zhvillimin e policisë ka dhënë Turqia”.
“Ne edhe pse nuk jemi anëtarë të Interpolit për shkak se Kosova nuk është pjesë e OKB-së, sot bashkëpunojmë dhe komunikojmë me thuajse të gjitha vendet e Interpolit”.
Sheremet Ahmeti tha se nuk funksionon jeta e qytetarëve pa rend dhe ligj.
Ai theksoi se nga viti 2000 ka qenë pjesë shumë proceseve brenda policisë.
“Mua më kanë arrestuar UDB-ja në vitin 1994 dhe deri në vitin 2000 kam qenë i burgosur. Unë e kuptoj mirë se çka është robëria. Populli ynë e di se çka do të thotë të mos kesh liri. Por, liria nuk është e plotë pa rend dhe ligj. Policia e Kosovës është për qytetarët pa dallim”.
“Unë nga 5 shtatori i viti 2000 kam qenë zëvendëskomisar i policisë. Që nga ajo kohë unë kam qenë pjesë e shumë operacioneve. Një nga operacionet e mëdha ka qenë varrimi i ish-presidentit Ibrahim Rugova”.
Ahmeti uroi të gjithë policët e Kosovës në 22 vjetorin e themelimit.
Ish numri një i organeve të rendit tha se shpreson që një ditë Kosova të jetë pjesë e Interpolit.
“Urime për të gjithë policët 22 vjetori i Policisë së Kosovës. Shpresoj që një ditë Kosova të jetë pjesë e Interpolit”.
22 vjet më parë Organizata Evropiane për Bashkëpunim dhe Siguri në pajtim me rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara vendosi ta themelojë Shkollën e Policisë në Vushtrri.
Nga aty fillimisht kanë dalë 176 pjesëtarët e parë të Policisë së Kosovës.