Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaPunonjësit e komunave e respektojnë vendimin, vaksinohen para 13 shtatorit – sfidë...

Punonjësit e komunave e respektojnë vendimin, vaksinohen para 13 shtatorit – sfidë sektori privat

Të gjithë të punësuarit të sektorin publik duhet që të marrin vaksinën anti-Covid para datës 13 shtator, pasi Qeveria me vendim e ka bërë obligim vaksinimin për ta.

Vkasinën do ta marrin punonjësit e komunave, ka konfirmuar në një intervistë për Ekonomia Online kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahim.

Ai ka bërë të ditur se me ministrin Arben Vitia janë dakorduar që komunat do të respektojnë të gjitha masat e parapara nga kjo ministri, e këtu edhe procesin e vaksinimit si dëshmi për të hyrë në punë.

“Në takimin që këshilli i kryetarëve ka pasur me ministrin Vitia janë dakorduar që të gjitha masat e marra do të zbatohen edhe në nivelin lokal. Këto zotime nuk janë vetëm këtë herë, por të shumtën e rasteve që janë zbatuar në plotni nga komunat e Kosovës, e edhe këtë herë të gjitha komunat janë të gatshme t’i zbatojnë masat e reja të cilat janë të miratuara nga Qeveria”.

Ai  theksoi poashtu se tashmë vendimi është që të gjitha institucionet të punojnë me staf esencial dhe të jenë të vaksinuar.

“Është edhe një vendim tjetër që të gjitha institucionet të punojnë me staf esencial, kështu që ai staf pritet më shumë që të jetë i vaksinuar që gjatë punës me palë të mos bart virusin. Pra komunat e Kosovës në plotni i respektojnë dhe i kanë respektuar këto masa”.

Përderisa kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë se procesi i vaksinimit është i rëndësishëm për popullatën, por që ka dallime të mëdha ndërmjet sektorit privat dhe atij publik.

Azemi në një intervistë ka theksuar se te punëtorët e sektorit publik nuk është edhe shumë problem çështja e dëshmisë se janë vaksinuar, pasi mund të punojnë edhe nga shtëpia, por që problem më i madh do jetë te sektori privat që për shkaqe të ndryshme edhe nuk duan të vaksinohen.

“Në sektorin publik ju e dini që në vendimin e fundit anti-masat për anti-Covid është thënë që gjithë ata punëtorë që mund të kryejnë punën nga shtëpia, mund ta kryejnë atë, ku vetëm stafi elementar mund të jenë në administrata e ndërsa të tjerët në shtëpi, e nuk është ndonjë problem për ta. Problem i madh do të jetë tek punëtorët e sektorit privat ku unë veçse kam biseduar me ta dhe i kanë arsyeshmërinë e vet”.

Azemi thotë se nuk është kompetencë e askujt që të imponohet vaksinimi, duke shtuar se pjesa më e madhe e punëtorëve të sektorit privat nëpër Qendrat e Mjekësive Familjare janë vaksinuar, por që janë infektuar sërish.

“Për secilin punëtor shëndeti i tij është primar, dhe nëse ai me vetëdije të plotë nuk dëshiron ta merr atë vaksinë sepse ndoshta ka bindjet e veta është vendim dhe dënim shumë i keq nëse këtyre punëtorëve ju imponohet. Unë për vete kam marrë dy vaksinat dhe ju preferoj që të gjithë t’ marrin, por megjithatë ne nuk mund të imponojmë diçka që ai dëshiron”.

“Në moment kur ka filluar vaksinimi në rend të parë kemi kërkuar nga qeveria dhe nga SHSKUK-ja që të vaksinohen punëtorët të cilët kanë direkt kontakt me pacientët me Covid. Në spitalet e Qendrës së Mjekësisë Familjare pothuajse pjesa dërrmuese janë vaksinuar por pa harruar kemi shumë punëtorë që i kanë marrë të dyja vaksinat dhe prapë po infektohen, dhe punëtorë që për herën e tretë janë të infektuar edhe pse i kanë marrë vaksinat”, përfundoi Azemi.

Të gjithë punonjësit e sektorit publik në vend, pas datës 13 shtator, nuk do të mund të futën në vendin e tyre të punës, nëse nuk e dëshmojnë se janë vaksinuar ose janë negativ në testet për Covid-19.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments