Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosova‘Qeveria Rama 3’, e ftohtë si alabastra e Elva Margaritit

‘Qeveria Rama 3’, e ftohtë si alabastra e Elva Margaritit

Edi Rama ia ka arritur, më në fund, që të kompozojë një kabinet qeveritar pa asnjë surprizë. Aksin e madh të qeverisjes, ministritë e Mbrojtjes, Punëve të Jashtme, të Brendshme, Infrastrukturës, Shëndetësinë dhe Arsimin, ua ka besuar të njëjtëve ministra që kanë mbyllur në po ato detyra mandatin e dytë qeverisës.

Zëvendës të vetin, duke e lënë të vazhdojë me Rindërtimin, ka caktuar Arben Ahmetajn, te Turizmi ka hequr Blendi Klosin dhe ka rikthyer Mirela Kumbaron, dikur ministre Kulture. Te Bujqësia ka ndërruar Ilva Ikonomin me Frida Krifcën. Duke sjellë të Financat Delina Ibrahimin në vend të Anila Denajt. Ulsi Manjas i ka besuar Drejtësinë duke hequr prej andej Etilda Gjonajn. Nuk e ka lëvizur vendit gruan me emrin e bukur Elva Margariti duke e lënë, të ftohtë si alabastër skulpture, te Kultura.

I vetmi eksperiment, alkimia e të cilit nuk ndryshon me gjasë asgjë, është Amazonia e katër ministrive pa portofol të cilat ua ka besuar grave. Ka hequr të thinjurin Pandi Majko nga Diaspora duke e shkrirë për fare këtë ministri oruelliane dhe ka nxjerrë nga mënga magjistare Ministrinë për Rininë dhe Fëmijët, një gjetje neozelandeze, duke ia besuar një ‘fëmije politik’, Bora Muzhaqit.

Në rrafshin politik duket se ka hequr barrë duke i lënë kundërshtarit dy targete sulmi: Arben Ahmetajn, që ka qenë në gojë të opozitës nga mëngjesi në darkë, dhe Ulsi Manjan që shfaqet si shpirt i keq i parabolave dibrane në dosjen 184.

Në rrafshin e komunikimit e ka përmbytur me gra kabinetin duke mospëlqyer, si gjithmonë, të jetë patriarkal, por duke u dëshmuar, me dashje ose pa të, patriark. I cili, sidomos në një stinë të jetës, në vjeshtë, shkon dhe e zmadhon soft spot-in (pikën e dobët) për seksin tjetër (i cili tashmë nuk mund të quhet më i dobët se të zë sherri me gratë dhe paranë e madhe pas organizatave që i mbrojnë me patos).

Kryeministri duket se ka rrezikuar pak me fabulën. Ka pasë pretenduar se në mandatin e dytë nuk u la të qeverisej nga tërmeti dhe më pas pandemia. Duke prodhuar nëntekstin se, pa këto pengesa, në të tretin do të bëhen punë të mëdha. U ka dhënë kështu mundësinë njerëzve që u ndalën nga forcat madhore të provojnë veten në mandatin e tretë. Po atyre që në të dytin, duke cituar vetë Ramën, nuk shkëlqyen. Me arsyetimin se, në mes qenë tërmeti dhe Covid-19.

Tani Ramës i ka mbetur t’i bëjë hesapet me lirinë dhe normalitetin. Nëse ministrat e penguar në shkëlqimtari nga anormaliteti i fatkeqësive natyrore nuk qullosin gjë as në normalitet, atyre u mbetet faji, por sidomos edhe përzgjedhësit të tyre.

Sidoqë të jetë, Rama nuk ka një propozim të ri nëpërmejt emrave, dhe kjo nuk do të thotë se do të jetë kështu edhe te aksionet e tyre. Emrat, talentet dhe burimet njerëzore, për këtë ai ka ngritur edhe një departament fringo të ri në PS, nuk janë gjë e lehtë. Ndoshta bash prej kësaj ndihej ai mundimshtërzim i Kryeministrit, tek i duhej sot të rrotullonte njerëz në tespien e pushtetit partiako-qeveritare, sa andej këndej.

Prova, megjithatë i mbetet zotërisë së tij. Ne na mbetet vetëm kronika, si gjithmonë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments