Një vit pas Marrëveshjes së Uashingtonit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, janë më afër njëri- tjetrit duke bashkëpunuar në heshtje kundër Uashingtonit. Takimi i Uashingtonit për të cilin Albin Kurti kishte paralajmëruar se do të nxirrte thikat për Kosovën, në fakt i dhuroi Kosovës një nga njohjet më të rëndësishme të saj ndërkombëtare, atë të Izraelit, dhe i ofroi Kosovës dhe Serbisë një sërë angazhimesh që forcojnë orientimin perëndimor të dy vendeve.
Shkruan: Mero Baze.
Marrëveshja jo vetëm që i dha fund fushatës së anulimit të njohjeve ndërkombëtare nga Serbia, por vetë Marrëveshja përfshinte një nga njohjet më të rëndësishme të Kosovës. Një vit pas, Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti kanë thuajse gjuhë të njëjtë kundër Marrëveshjes.
Vuçiç po përpiqet t’i ikë disa prej detyrimeve të marrëveshjeve, siç është ajo që ka të bëjë me teknologjinë 5G me Kinën dhe çuarjes së selisë së Ambasadës së Serbisë në Jeruzalem, ndërsa Albin Kurti është gati të hedhë poshtë çdo pikë të marrëveshjes, vetëm se e ka nënshkruar rivali i tij.
Kjo bëhet në një kohë kur administrata e re e presidentit Biden e ka konfirmuar Marrëveshjen si të dobishme dhe ka kërkuar zbatimin e saj.
Aleanca e heshtur e Albin Kurtit me Aleksandër Vuçiq kundër kësaj marrëveshje, në fakt përben lajm vetëm për kryeministrin e Kosovës.
Në Serbi nuk përbën lajm të jesh kundër SHBA, pasi në shumë raste, aty është detyrim. Ai është një vend i bombarduar nga SHBA për shkak të Kosovës dhe me një orientim natyral drejt Lindjes, dhe për ta lajm është kur bëjnë një gjest drejt Perëndimit.
Lajm në Serbi ka qenë vitin e shkuar kur Vuçiç u detyrua të nënshkruante në Uashington marrëveshjen, në prani të presidentit të SHBA. Dalja e tij kundër SHBA nuk është lajm, është identitet. Lajm është dalja kundër SHBA e Albin Kurtit dhe aleanca e tij e heshtur me Vuçiç për këtë çështje.
Kosova për herë të parë ka një kryeministër që përveçse injoron një marrëveshje zyrtare me SHBA, dhe nxit dhe një votim kundër saj në një rezolute në Kuvend, është edhe në një gjatësi vale me Serbinë për këtë çështje. Dhe e bukura është që kërkon të duket si viktimë dhe thotë që një vit më parë më kanë rrëzuar nga pushteti armiqtë e Kosovës, përmes kësaj marrëveshje.
Në fakt armiqtë e Kosovës, nëse Albini e ka fjalën për Vuçiç, janë dakord me Albinin për këtë Marrëveshje. Miqtë e Kosovës në SHBA nuk janë dakord.