Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaGazetaria, njëri ndër departamentet më të preferuara për maturantët

Gazetaria, njëri ndër departamentet më të preferuara për maturantët

Në Fakultetin e Filologjisë së Universitetit të Prishtinës sot është mbajtur provimi pranues.

 

Edhe pse në kohë pandemie qindra maturantë, duke respektuar masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore, iu nënshtruan testit të provimit pranues në të gjitha departamentet e Fakultetit të Filologjisë.

Njëri ndër departamentet më të preferuara për maturantët mbetet ai i gazetarisë, që po vlerësohet si atraktiv dhe me perspektivë.

Profesori i Degës së Gazetarisë, Muhamet Jahiri, tregon për KosovaPress se edhe këtë vit maturantët kanë shprehur interesim të madh për të studiuar gazetarinë.

Ai tregon se gjatë procesit të testimit janë përpjekur që të respektojnë në përpikëri udhëzimet e IKSHPK-së kundër pandemisë COVID-19.

“Realisht në Departamentin tonë pothuajse gjithmonë ka qenë një vërshim i madh i maturantëve që duan të studiojnë gazetarinë që është një degë shumë atraktive edhe ka shumë perspektivë për ta. Edhe sot pra po e organizojmë provimin pranues në kushte të pandemisë, pra në një situatë të rënduar pandemike, ku jemi munduar dhe do të mundohemi tash gjatë organizimit të provimit që t’i respektojmë udhëzimet edhe rekomandimet e Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik(IKSHPK),” deklaroi ai.

Përveç gazetarisë, të preferuara mbesin edhe gjuhet e huaja.

Mirjeta Berisha nga Ferizaj tregon për procedurën e provimit, teksa tregon se frëngjishtja mbetet gjuha e saj pëlqyer, andaj për këtë arsye edhe ka aplikuar në këtë degë.

“Kam aplikuar për degën e gjuhës frënge. Provimi ka qenë i lehtë, nuk kam pas edhe shumë stres edhe ka qenë gjithçka në rregull. E kam si gjuhë si ma favorite prej të tjerave. Nuk i kanë lënë të hyjnë në provim, pa maskë dhe dezinfektimin e duarve,” ka thënë ajo.

Kurse për Aurora Shalën, gjuha gjermane mbetet më e preferuara. Madje thotë se është mjaft perspektive.

Edhe ajo shton se në provim kishte rregulla strike, ku nuk u lejua askush të hyjë pa maskë dhe mjet identifikues.

“Kam aplikuar këtu në fakultetin filologjik për drejtim gjuhë dhe letërsi gjermane. Testin e pata sot, ka shkua shumë mirë, gjithçka në rregull. Më pëlqen si gjuhë dhe mundem me gjet punë. Duhet të jemi të pajisur me maskë, nuk është lejua askush pa letërnjoftim ose pa ndonjë dokument identifikues, me i ‘u përfill rregullave të testit që përshkruhen,” vlerëson ajo.

Ndërsa Ariona Alija nga Skenderaj preferon të studiojë gjuhën dhe letërsisë shqipe. Sipas saj testi provues ishte shumë i lehtë.

“Sot mbajta testin d.m.th këtu për provim pranues, testi ka shkua shumë mirë, çdo gjë ke në rregull disiplina në klasë ke shumë e mirë edhe testi nuk ke shumë i vështirë, kështu që shpresoj mu pranua. Nuk pata ndonjë problem. Pyetjet jashtëzakonisht ishin të lehta. Arsyeja pse e kam zgjedh sepse e kam dashur gjithmonë prej shkollës fillore kur kam qenë, edhe mbasandaj e kam vazhduar shkollën e mesme gjithmonë e kam dashur këtë drejtim edhe e pash të arsyeshme me vazhdua” ka deklaruar ajo.

Provimi pranues ka filluar nga data 1 shtator në ditë të ndara për fakultete të ndryshme, ndërsa përfundoi këtë të shtunë.

Në Universitetin e Prishtinës në afatin e parë kanë aplikuar rreth 8 mijë maturantë për të fituat statusin e studentit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments