Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaHoti: Marrëveshja e Washingtonit s’parashihte moratorium për njohje të reja

Hoti: Marrëveshja e Washingtonit s’parashihte moratorium për njohje të reja

Moratoriumi s’vlente për njohje të reja ndërkombëtare.

 

Kështu shprehet Avdullah Hoti, ish-Kryeministri i Kosovës, i cili sot një vit – më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë kishte nënshkruar marrëveshjen ekonomike me Serbinë të cilën e kishte ndërmjetësuar, Donald Trump duke qenë President i SHBA-së.

“Po e sqaroj se marrëveshja nuk ka paraparë moratorium për njohje të reja. Njohja nga Izraeli e dëshmon këtë. Marrëveshja ka paraparë moratorium njëvjeçar për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, i cili moratorium përfundon sot. Ky moratorium është kritikuar nga disa individë të cilët nuk e kanë idenë se si i ka realizuar Kosova anëtarësimet në organizata ndërkombëtare deri më tani”, është shprehur Hoti.

Ai në njëvjetorin e kësaj ngjarjeje në intervistë për Klankosova.tv,  ka thënë se nuk mund të shkohet asnjë rruge tjetër përveç asaj të respektimit të marrëveshjes, e cila kontestohet nga qeveria e re në Prishtinë me në krye Albin Kurtin.

“Kundërshtimi i kësaj marrëveshje nuk është në interesin e Kosovës. Ata që e kundërshtojnë janë kundër integrimit perëndimor të Kosovës, të cilën gjë e do Serbia”.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së ka folur edhe për një mori çështjesh, si ajo me pandeminë, duke thënë se dorëheqja e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia është më e pakta që mund të ndodhë, në një situatë që ai e quan të dalë nga kontrolli.

Përveç këtyre, se si po qeverisë Albin Kurti, strehimi i refugjatëve afganë dhe ku do ta nxjerrin LDK-në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, mund ta kuptoni më poshtë.

INTERVISTA E PLOTË:

4 shtatori i këtij viti shënon njëvjetorin e arritjes së Marrëveshjes së Uashingtonit. Donald Trump ishte ndërmjetësues i kësaj marrëveshjeje. Ai më s’është President i SHBA-së, as ju Kryeministër i Kosovës. Duke pasur parasysh këtë fakt, sa është fuqiplotë marrëveshja?

Avdullah Hoti: Si mund të nënshkruhet një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë e të mos jenë fuqiplotë?  Marrëveshja e 4 shtatorit 2020 është e rëndësisë strategjike për shtetin e Kosovë.

Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, janë dy marrëveshje strategjike që ka nënshkruar Kosova: (i) Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, e nënshkruar më 2016 nga Kryeministri Mustafa në Bruksel, dhe (ii) Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar më 4 shtator 2020 nga ana ime në Shtëpinë e Bardhë.

Të dyja marrëveshjet janë nënshkruar nga kryeministrat e LDK-së. Marrëveshja e parë e ka formalizuar rrugën e integrimit evropian të Kosovës, që është orientim gjeostrategjik i Kosovës i definuar që në ditët e para të formësimit të shtetit të Kosovës nga Presidenti Rugova. Ndërkaq, marrëveshja e dytë e forcon partneritetin strategjik Kosovë-SHBA dhe siguron përfshirje të drejtpërdrejt të SHBA-ve në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në rajon dhe ndërkombëtarisht. Përmes kësaj marrëveshje, në praninë e Presidentit të SHBA-ve në Shtëpinë e Bardhë, ne kemi marrë obligime sa i përket raporteve tona shtetërore me fqinjin verior duke u trajtuar si palë plotësisht e barabartë.

Administrata e re amerikane në krye Joe Biden ka theksuar se kjo marrëveshje duhet zbatuar, ndërkaq Albin Kurti si kryeministër refuzon ta bëjë këtë. Madje nga Qeveria e Kosovës marrëveshja cilësohet pa vlerë juridike. Ç‘mendim keni ju sot për këtë?

Avdullah Hoti: Administrata e Presidentit Biden është zotuar për respektim dhe zbatim të kësaj marrëveshje, pasi ajo është në përputhje me interesat strategjike të SHBA-ve për një rajon të qetë dhe të integruar politikisht dhe ekonomikisht me perëndimin.

Nëse studiohen me kujdes pikat e marrëveshjes shihet qartë qëllimi i saj – që është lidhja më e fortë dhe e pandashme politike dhe ekonomike e Kosovës dhe e gjithë rajonit me perëndimin, e jo me lindjen. Prandaj, kundërshtimi i kësaj marrëveshje nuk është në interesin e Kosovës. Ata që e kundërshtojnë janë kundër integrimit perëndimor të Kosovës, të cilën gjë e do Serbia. Ata që e kundërshtojnë nuk e duan një rajon të qetë dhe të integruar në familjen e kombeve demokratike perëndimore. Kam bindjen e fuqishme se është në interesin strategjik të Kosovës që në kufirin e saj verior të mos e ketë një vend nën ndikimin e plotë të Rusisë.

Çfarë rreziku paraqet kundërshtimi i Kosovës për ta zbatuar këtë marrëveshje prej së cilës buron njohja shumë e rëndësishme e Izraelit?Avdullah Hoti: Kosova ka rrugëtuar deri në këtë pikë të ndërtimit dhe konsolidimit të shtetësisë falë partneritetit strategjik që ka ndërtuar Presidenti Rugova me SHBA-të dhe demokracitë e tjera perëndimore. Askush nuk guxon ta dëmtojë këtë partneritet. Ata që tentojnë ta dëmtojnë atë nuk e kanë vendin në institucione. Dhe i garantoj se atë fat do ta kenë nëse e dëmtojnë këtë partneritet.

Moszbatimi i kësaj marrëveshje i humb Kosovës miliona investime në infrastrukturë, energji dhe financim të bizneseve, si dhe e lëkund partneritetin tonë me SHBA-të.

Një pikë e marrëveshjes së 4 shtatorit ka qenë edhe ajo e moratoriumit për njohje. Pala serbe muajt e fundit ka paralajmëruar se janë diku dhjetë shtete që janë gati ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Cila është mënyra që të kundërvihet Qeveria e Kosovës dhe sa besoni se mund të ketë njohje të reja pas 4 shtatorit? Sa keni qenë kryeministër ka qenë tërësisht i ngrirë aktiviteti diplomatik në këtë çështje, apo falë juve mund të ketë ndonjë njohje të re tash?

Avdullah Hoti: Po e sqaroj se marrëveshja nuk ka paraparë moratorium për njohje të reja. Njohja nga Izraeli e dëshmon këtë.

Marrëveshja ka paraparë moratorium njëvjeçar për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, i cili moratorium përfundon sot. Ky moratorium është kritikuar nga disa individë të cilët nuk e kanë idenë se si i ka realizuar Kosova anëtarësimet në organizata ndërkombëtare deri më tani.

Anëtarësimet e deritashme nuk janë rezultat i procesit administrativ-teknik të aplikimit për anëtarësim, por janë vendime politike e strategjike të vendeve që na kanë përkrahur për anëtarësim. Vetëm me mbështetjen e SHBA-ve ne kemi arritur të anëtarësohemi në disa organizma ndërkombëtarë, dhe falë SHBA-ve mund arrijmë anëtarësime të reja.

Le të provojë Ministria e Jashtme e Kosovës anëtarësimin në një organizatë pa koordinim me SHBA-të. Kam frikë se aplikacionin për anëtarësim nuk mund ta përgatisin e dorëzojnë. Ndoshta, këta kritikues nuk duan të koordinohen me SHBA-të por me dikë tjetër. Sidoqoftë, ky moratorium kalon sot dhe pres që këta të na anëtarësojnë menjëherë në organizata ndërkombëtare. Unë do të jem i pari që do t’i përgëzoj.

Një pikë tjetër e marrëveshjes që u tentua të shndërrohet në kauzë politike (të rrejshme, për mashtrim të opinionit) është studimi i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Ky studim u dorëzua në Qeveri para tre muajsh me qartësi të plotë se vlejnë konventat dhe praktikat ndërkombëtare për raste të ngjashme. Rrjedhimisht, u pa se e gjithë ajo zhurmë ka qenë e planifikuar nga makineria propaganduese e tyre për qëllime të ulëta politike.

Një çështje për të cilën jeni kritikuar është ajo e menaxhimit të pandemisë. Por, ditët e fundit jemi dëshmitarë të një situate të rëndë me COVID-19. Qeveria që keni drejtuar ju është quajtur nga Lëvizja Vetëvendosje si “Qeveri koti”. Ju çfarë epiteti i vëni qeverisë Kurti 2?

Avdullah Hoti: Situata me pandeminë është tepër shqetësuese. Unë shpreh ngushëllimet e mia dhe të familjes time për familjet e atyre që kanë humbur jetën nga kjo pandemi.

Ministri Zemaj dhe e gjithë qeveria ime preokupimin kryesor e kemi pasur menaxhimin e pandemisë. Një ekip i jashtëzakonshëm i mjekëve na ka këshilluar gjithë kohën. Bashkë me ta dhe me partnerët e organizata ndërkombëtare kemi mbajtur konsultime javore për të marrë vlerësimet e tyre dhe përvojat nga vendet e tyre.

Me ftesë të Ministrit Zemaj, disa herë në Kosovë kanë ardhur ekipe vlerësuese të mjekëve nga disa vende dhe organizata, të cilët kanë inspektuar dhe vlerësuar strategjinë tonë për menaxhimin e pandemisë. Kemi qenë shumë transparent ndaj opinionit dhe gjithëpërfshirës në mënyrën se si e kemi menaxhuar pandeminë, me mbledhje të rregullta javore të Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë dhe konferencës për medie pas çdo takimi. Mjekët e kanë pasur fjalën kryesore për masat që i kemi ndërmarrë. E kemi rritur numrin e shtretërve në spitale. Kemi shtrirë rrjetin e furnizimit me oksigjen në spitale dhe klinika. Kemi angazhuar të gjithë profesionistët shëndetësorë në nivel vendi. Kemi lënë në fazën finale procedurat për kontratën për blerje të vaksinave dhe kemi arritur marrëveshje me donatorë të ndryshëm për disa kontingjente me vaksina. Kemi përgatitur planin e vaksinimit të shpërndarë në çdo QKM dhe ambulantë e jo siç e bënë këta në vetëm një pikë për komunë. Kemi përfshirë dhe jemi koordinuar gjerësisht me komunat në menaxhimin e pandemisë. Personalisht kam komunikuar me kryetarët e komunave për nevojat që kanë pasur, sepse ata kanë qenë në mbikëqyrje të të prekurve me Covid përmes rrjetit të mjekëve dhe infermierëve të mjekësisë primare.

Por, sikurse Marrëveshja e Uashingtonit, edhe fatkeqësitë që na kanë ndodhur nga pandemia Covid-19 janë përdorur politikisht nga këta që tani janë në pushtet përmes një fushate të paparë fyese e linçuese ndaj qeverisë time dhe Ministrit Zemaj. Këto ditë, mediet hulumtuese po publikojnë deklarimet e tyre gjatë verës së kaluar kur ishim në valën e dytë të pandemisë, ku shihet qartë përdorimi i fatkeqësisë nga pandemia për qëllime politike. Në debatin parlamentar për 100 ditët e qeverisjes aktuale, kreu i qeverisë dhe bashkëpartiakët e tij përdornin shifrat e rasteve me fatalitet dhe të infektimeve ditore për të sharë edhe më tutje qeverinë time dhe Ministrin Zemaj. Sot të gjithë këta heshtin. Është e qartë se për ta “qëllimi arsyeton mjetin”. Këta politikanë makiavelistë e kanë jetën e shkurtët në politikën institucionale, por dëme për shoqërinë shkaktojnë.

Me gjithë këtë qasje të tyre, ne kemi qenë të rezervuar dhe kemi shprehur gatishmërinë tonë t’i ndihmojmë. Ministri Zemaj ka qenë në dispozicion që nga dorëzimi i detyrës për të ndihmuar në përmbylljen e kontratës për vaksina dhe për çështje të tjera të ndërlidhura me menaxhimin e pandemisë. Edhe sot jemi të gatshëm të aktivizojmë gjithë ekspertizën profesionale të kuadrove që kemi për të ndihmuar.

Si i vlerësoni disa thirrje për shkarkimin e Arben Vitisë nga pozita e Ministrit të Shëndetësisë? A duhet të ndodhë kjo? Ç‘mendim keni për kandidimin e tij për Kryetar të Prishtinës?

Avdullah Hoti: Dorëheqja e tij është më e pakta që duhet të ndodhë. Kjo qeveri si tërësi ka dështuar në menaxhimin e pandemisë.

A është menaxhimi i pandemisë Thembra e Akilit e Qeverisë Kurti 2 sipas juve. Çfarë shihni si pikën më të fortë të saj për kaq kohë qeverisje?

Avdullah Hoti: Në këta gjashtë muaj të qeverisjes po shohim vetëm dështime dhe ngecje. Kosova sot nuk ka politikë të jashtme. Marrëdhëniet me Shqipërinë janë acaruar. Marrëdhëniet me rajonin janë përkeqësuar. Nuk ka qartësi në proces të dialogut, së paku sa i përket qasjes tonë, dhe nuk është siguruar mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë për qasjen tonë në dialog. Pasiguria ekonomike tek bizneset është rritur, sepse nuk dihet çfarë politika do të ndërmerren në të ardhmen. Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike është inekzistente, edhe pse e buxhetuar. Sektori bankar është në pritje të luhatjeve që do të ndodhin në tregun kreditor nga themelimi i bankës zhvillimore dhe fondit sovran. Një rrezik në vete është shtrirja e ndikimit të drejtpërdrejt të qeverisë tek ndërmarrjet publike dhe agjencitë e pavarura duke emëruar persona mbi baza të nepotizmit apo përfaqësues të tyre politik.

Me këtë qasje nuk mund të ketë qeverisje stabile, së paku jo në interes të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Unë parashoh se këta do të dorëzohen së shpejti duke shkaktuar ndonjë krizë institucionale apo politike. Përvojat nga vendet e tjera me qeverisje të ngjashme populiste asnjëherë nuk kanë qenë pozitive.


A u morën masat e duhura së fundmi nga Qeveria lidhur me COVID-19?

Avdullah Hoti: Situata është jashtë kontrollit. Masat janë të vonshme. Masat është dashur të jenë preventive. Varianti delta i virusit është shfaqur në prill. Vlerësimet kanë qenë se ky variant i virusit në Kosovë do të shfaqej në qershor/korrik. Të gjitha vlerësimet në atë kohë kanë qenë se po shkonim drejt një faze të re shumë më të ashpër të pandemisë. Prandaj, masat është dashur të jenë preventive.

E udhës do të ishte të ftohej ekipi i ekspertëve të pavarur të angazhuar nga Ministri Zemaj, që së bashku me ekspertët nga qeveria dhe ekspertët ndërkombëtarë, të formohet taskforcë speciale për menaxhimin e pandemisë. Kuvendi duhet urgjentisht të mblidhet për të diskutuar situatën e krijuar dhe për të miratuar vendimet e nevojshme buxhetore dhe administrative.

Në vjeshtë, më 17 tetor 2021, do të mbahen zgjedhjet lokale. Ku shihni se mund të dalë LDK në këto zgjedhje?

Avdullah Hoti: Në këto zgjedhje ne hyjmë me besim të plotë se do të marrim mbështetjen e qytetarëve për të udhëhequr me pushtetin lokal në pjesën më të madhe të komunave. Kemi bërë të gjitha përgatitjet. Kemi konfirmuar kandidatura shumë të mira për kryetarë komunash dhe për kuvende komunale – personalitete të respektuara nga komunat përkatëse e disa prej tyre në nivel vendi, ekspertë me përvojë ndërkombëtare që i janë bashkuar LDK-së, aktivistë të devotshëm të LDK-së dhe shtetit të Kosovës me përvojë të pasur institucional. Është bërë mobilizim i plotë në të gjitha komunat. Janë caktuar ekipe mbështetëse nga qendra për të ndihmuar kandidatët tanë në terren. Po zhvillojmë një fushatë unike, derë më derë dhe me kontakte individuale, me qasje programore dhe pozitive, duke treguar vlerat tona.

Mbi të gjitha, çdo ditë e më shumë po bëhet e qartë se LDK-ja mbetet partia e vetme me vlera demokratike evropiane, parti institucionale, me njerëz kompetentë për të udhëhequr, parti që ka pësuar politikisht në momente të caktuara në mbrojtje të interesit shtetëror. Qytetarët po e vërejnë këtë çdo ditë dhe besimi tek LDK-ja po kthehet.

Në Kosovë ditët e fundit kanë nisur të vinë refugjatë afganë si pjesë e një marrëveshjeje me SHBA-në për strehimin e tyre. A u veprua drejt në këtë rast?

Avdullah Hoti: Kosova është pjesë e familjes së demokracive perëndimore. Ne e ndajmë fatin me familjet tonë politike. Ne duhet të japim kontributin tonë në çështje të tilla. Ju e dini se në qeverinë time për herë të parë u realizua marrëveshja për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në misione ndërkombëtare në krah ushtrisë amerikane. Pra, ne duhet të kontribuojmë në procese të tilla krahas vendeve të tjera në përputhje me mundësitë që kemi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments