Mjekët specializantë të cilët janë angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë për të punuar në qendrat e vaksinimit, po ankohen se po ju dalin koxha telashe për të shkuar deri tek vendi i punës.
Specializanti Lumbardh Bytyçi nga Prizreni bën 60 kilometra rrugë, vajtje-ardhje brenda ditës vetëm për t’i shërbyer qytetarët e Dragashit për vaksinim.
Bytyçi kritikon Ministrinë e Shëndetësisë për moslehtësimin e kësaj situate dhe mungesës së mbështetjes financiare.
Derisa nga Oda e Mjekëve theksojnë se ministria është e obliguar ta respektojë ligjin e punës dhe mjekëve të ju paguhen shtesat për rrugë dhe bukë, kur të njëjtëve iu ndryshohet vendi i tyre punës dhe kanë kosto shtesë.
Pos këtyre telasheve specializanti Bytyçi thotë se ai dhe kolegët e tij kanë marrë edhe kërcënime nga MSH-ja, që nëse nuk i përfillin vendimet e ministrisë, do të kenë telashe në shkollim specialistik.
Megjithatë nga MSH-ja e kanë mohuar se janë kërcënuar specializantët dhe se kanë qenë te obliguar t’i shpërndajnë nëpër komunat e tyre më të afërta për dy muaj në mënyrë që të rriten kapacitetet e vaksinimit.
Teksa sa i përket çështjes financiare nga zyra e informimit të këtij dikasteri këmbëngulin se kryhen të gjitha obligimet financiare ndaj të angazhuarve.