Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka treguar detaje të reja nga skandali i 43 milionëve për tokën e shpronësuar në kohën e qeverisjes së Ramush Haradinajt.
Sipas Muratit, toka që Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKM/AKP) e kishte privatizuar për 6 euro arin, në tabelat e vlerësimit të dorëzuara me 17 maj në MMPH, ishte vlerësuar me 3 mijë e 700 euro për ari, pra rreth 600-fishi i çmimit të blerjes.
Qeveria Haradinaj më pas, më 17 dhjetor 2019, sipas njoftimit nga ministri, thuhet se kishte vendosur që të njëjtën tokë ta shpronësojë për 7 mijë e 500 euro arin, pra 1 mijë e 200 fishi i çmimit të privatizimit.
Ndërkohë, sipërfaqja e tërësishme e tokës, e cila për t’u privatizuar kishte kushtuar 4,000 (katër mijë) euro, sipas llogarive të bëra nga Ministria e Financave, tani do të shpronësohej për 4 milionë e 866 mijë euro.
Pra, nga 43 milionëshi i tërësishëm, një person i vetëm do të merrte 4.9 milionë euro, nëse keqpërdorimi i konstatuar do të shkonte deri në fund, tregon tutje Murati.
“Fatmirësisht, e stopuam me kohë. Fakte si kjo, ka edhe shumë të tjera. Krejt çka nevojitet është veprimi i prokurorisë dhe organeve të rendit”, përfundon postimi i ministrit Murati në Facebook.