Të gjithë qytetarët e Kosovës që duan të bëjnë kërkesë për ndërrimin e qendrave të votimit për zgjedhjet e 18 tetorit, këtë mund ta bëjnë deri me datën 7 shtator.
Këtë e bëri të ditur Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burimi Ahmetaj, i cili po ashtu njoftoi se deri më tani kanë pranuar rreth 5 mijë e 600 kërkesa të tilla.
Në mbledhjen e KQZ-së, ai po ashtu njoftoi se vazhdimisht i është bërë thirrje gjithë stafit të këtij komisioni, madje edhe atij permanent që janë angazhuar tani, që të vaksinohen.
“Edhe i gjithë stafi i sekretariatit është njoftuar se nga data 13 shtator e tutje nuk do mund të hyjnë në objektet e KQZ-së pa pasur një dokument vaksinimi”.
Ahmetaj po ashtu propozoi që të ketë një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë që t’u mundësohet gjithë trupave zgjedhorë vaksinimi, në mënyrë që, siç tha, të mos kenë pengesa në procesin e organizimit të zgjedhjeve.