Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim të situatës pandemike.
Krasniqi tha se keqmenaxhimi më i madh është bërë me mënyrën e sigurimit të vaksinave, duke pasur parasysh se Kosova e ka pothuajse shkallën më të ulët të vaksinimit në botë dhe fatkeqësisht shkallën më të lartë të vdekjeve dhe infektimeve ditëve të fundit.
“Gjatë kësaj periudhe nuk është bërë përpjekje për të siguruar numër më të madh të vaksinave, aq të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve.Për më tepër, nuk është bërë kurrfarë administrimi i dozave ekzistuese, siç dëshmoi dje skandali i asgjësimit të afër 140 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca. Sot, mungesa e vaksinave është evidente, dhe pamundësia e qytetarëve për të caktuar termin për vaksinim – vazhdon t’i mbajë peng një numër të madh të tyre.”, theksoi ai.
Krasniqi tha se Qeveria ka dështuar në administrimin e procesit të vaksinimit duke mos ofruar vaksinim mobil dhe duke mos bërë fushatë masive të vetëdijesimit për rëndësinë e vaksinimit si mbrojtja e vetme dhe e paalternativë përballë Covid-19.
“Vetëm prej dje Ministrisë së Shëndetësisë i është kujtuar që të marrë vendim për ta zgjatur orarin e vaksinimit edhe gjatë fundjavës.Por, dallimi është se tash kemi afër 28 mijë raste aktive, e kjo do të duhet të ndërmerrej kur ende kishim gjasë për të parandaluar përhapjen e këtyre përmasave.”, tha ai.
Lideri i PDK-së shtoi se keqmenaxhim ka pasur edhe në administrimin e kapaciteteve shëndetësore, pasi spitalet rajonale kanë qenë të papërgatitura për një fluks të ri, kanë qenë të pafurnizuara dhe në deficite me personel të nevojshëm shëndetësor.
“Sot, në këtë rritje enorme të rasteve klinike, siç po raportohet, është sfidë që të gjendet një shtrat në Klinikën Infektive, ose në atë të Pulmologjisë. Situatën e rënduar me raste e shohim veçanërisht në spitalet rajonale.Ajo çfarë po shohim në rajonin e Gjakovës, Mitrovicës, Ferizajt dhe në vetë QKUK-në, tregon qartë se tashmë i gjithë vendi është përfshirë në një valë të re të rritjes së numrit të rasteve. Ky virus nuk është problem lokal e rajonal, por problem kombëtar.”, tha Krasniqi.