Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaÇdo vit raportohen mijëra raste, shumë gra denoncojnë burrat vetëm kur dhuna...

Çdo vit raportohen mijëra raste, shumë gra denoncojnë burrat vetëm kur dhuna bëhet e papërballueshme

Çdo vit raportohen në institucionet përkatëse rreth 2 mijë raste të dhunës në familje. Supozohet se ka shumë raste, ku viktimat nuk i denoncojnë dhunuesit. Ndërkaq, në rastet e shumta, kjo dhunë ka përfunduar me vrasje të grave.

Përleshje, rrahje, keqtrajtim, abuzim e deri te dhunimi janë vetëm disa raste kur gratë detyrohen ta thërrasin Policinë e Kosovës për t’i mbrojtur nga familjarët apo bashkëshortët e tyre.

Sipas raporteve të autoriteteve, mijëra raste të dhunës në familje denoncohen përgjatë vitit. Shumica e viktimave janë gratë, ndërsa një përqindje më e vogël e rasteve janë të deklaruar viktima burrat.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku, ka thënë se vetëm brenda një viti në Kosovë raportohen rreth 2000 raste të dhunës në familje.

Ai thotë se gjysma prej tyre janë rrahje, duke u bazuar në deklaratat e viktimave të dhunës.

“Rreth 50% të rasteve janë dhunë fizike, e që bazuar në deklaratat e grave të sulmuara, forma dhe mjetet e përdorura gjatë ushtrimit të dhunës, në shumicën e rasteve mund të përfundojnë me fatalitet”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se gratë nuk lajmërojnë rastet e dhunës në fillim. Shumica prej tyre denoncojnë burrat, vetëm pasi situata kalon në një fazë më të dhunshme dhe më të papërballueshme.

Ndërsa në raportin 24 orësh të Policisë se Kosovës është e pamundur të mos raportohen brenda një dite të paktën disa raste të dhunës në familje.

Policia e Kosovës për Express ka bërë të ditur se gjatë 6 vjetëve të fundit, duke përfshirë edhe vitin 2021, në Kosovë janë lajmëruar afro 10 mijë raste të dhunës në familje.

Prej janarit të këtij viti, deri në fund të korrikut, janë raportuar 1 mijë e 374 raste të dhunës në familje, e prej këtyre viktima janë femrat në 1 mije 63 raste, ndërsa meshkujt në 320 raste.

E viti 2020 prin sa i përket rasteve të dhunës. Gjatë një viti, kosovarët kanë raportuar në polici 2 mijë 69 raste.

Përgjatë dy dekadave të fundit, Kosova disa herë është tronditur nga vrasjet e vajzave dhe grave, nga burrat.

Nga këto, ka pasur raste kur gratë edhe pse i denoncuan burrat e tyre në polici, nuk u morën parasysh.

Njëra nga gratë, e cila u ther me thikë për vdekje nga burri i saj, Zejnepe Bytyçi-Berisha, e kishte denoncuar 16 herë dhunën në polici.

Njëjtë kishin vepruar edhe Valbona Marku-Ndrecaj e Diana Kastrati, burrat e të cilave ishin liruar në procedurë të rregullt. Më vonë ata u bën vrasës të tyre.

Listës së gjatë të grave të vrara, ditëve të fundit iu shtua edhe një 18 vjeçare, nga Ferizaji, e cila u bë pre e një dhune të papërballueshme dhe brutale nga partneri i saj, Dardan Krivaqa dhe një bashkëpunëtor i tij.

Krivaqa e rrahu 18-vjeçaren dhe e keqtrajtoi deri në vdekje përgjatë 48 orëve, dhe në fund e dërgoi pa shenja jete në spitalin e Ferizajt, për të ikur vetë nga aty.

Për këtë tragjedi reaguan persona të shoqërisë civile, OJQ-të e Qeveria e Kosovës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments