Masat e reja anti-COVID kushtëzojnë çdo person që dëshiron të hyjë në Kosovë të ketë certifikatë vaksinimi, test PCR negativ apo test rapid. Kështu është edhe në Vërmicë, pikë kalimin kufitar më të madh me Shqipërinë. Mirëpo, ndryshe nga dy ditët e kaluara prej kur kanë hyrë masat e reja në fuqi, sot qytetarët që vinin nga Shqipëria kishin mundësinë që të bënin testin rapid për të hyrë në Kosovë, i cili kushtonte 25 euro, pasi më parë ishin detyruar të kthehen mbrapsht.
Nga 30 gushti kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID, ku çdo person që synon të hyjë në Kosovë duhet të posedojë ndonjë nga dëshmitë si certifikatën e vaksinimit, testin PCR negativ, test i shpejtë antigjen, apo dëshmi që personi ka kaluar COVID-19 jo më shumë se 180 ditë. Po ashtu, shtetasit e Kosovës në rast të mosposedimit të ndonjë nga dëshmitë duhet të vetëizolohen për shtatë ditë.
Një nga personat që nuk u lejua të hyjë në Kosovë për shkak të mosposedimit të ndonjë prej dëshmive ishte Rexhep Leshi nga Dibra, i cili tregoi se u kthye nga policët doganorë.
Megjithatë, ai u shpreh se respekton masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës dhe se janë të nevojshme për shkak të rasteve me COVID-19.
“Më thanë pa bërë testin nuk lejohet për të kaluar kufirin, duhet të bëhet testi për të kaluar kufirin… E detyrueshme për të bërë testin, nuk kishte detyrim tjetër, mënyrë tjetër për të kaluar pa test nuk kishte”, tha ai.
As qytetari Izet Leshi nga Lushnja, nuk u lejua të hyjë në Kosovë në mungesë të certifikatës së vaksinimit dhe dëshmisë së testit negativ.
Më pas, ai shfrytëzoi mundësinë që të bëjë testin rapid në pikën kufitare, si mënyrë e vetme për të hyrë në Kosovë.
“U nisëm për të shkuar në Rahovec kishim ca punë dhe nuk na lejuan, na kthyen për testin edhe u detyruam të vijmë të bëjmë testin”, tha ai.
Shtetasit e Kosovës të cilët kthehen në vend por që nuk posedonin ndonjë nga dëshmitë e kërkuara me vendim qeveritar, mund të zgjidhnin edhe vetëizolimin për shtatë ditë. Të njëjtit vetëm plotësonin deklaratën nën betim se do të vetëizolohen dhe u lejohej hyrje në territorin e Kosovës.
Edis Baxhaku, banor i Prizrenit, së bashku me familjen e tij që po ktheheshin nga pushimi plotësuan deklaratën se për shtatë ditë do të vetëizolohen dhe të njëjtit u lejuan të hyjnë në vend.
“Nuk pati asnjë problem, ne kemi erdhëm prej pushimeve, më shënuan një formularë që duhet të vetëizolohem një javë ditë shkaku që nuk kam vaksinë… Nuk kam test PCR, nuk kam as vaksinim, për atë duhet të vetëizolohem tash një javë ditë në shtëpi… E gjithë familja, të gjithë duhet të vetizolohemi”, deklaroi ai.
Ndërkaq, ata persona të cilët posedonin certifikata të vaksinimit, dëshmi të testit PCR apo testit të shpejtë nuk kishin asnjë problem për të hyrë në territorin e Kosovës.