Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpikë të Kosovës ka marr vendim për shkarkimin e Sekretarin e Përgjithshëm Shasivar Haxhijaj.
Lajmin e ka konfirmuar vet Haxhijaj i cili përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” ka bërë të ditur se është shkarkuar nga pozita e tij e deritanishme duke shprehur edhe pakënaqësitë e tij në lidhje me këtë vendim të kryetarit të KOK-ut Ismet Krasniqi dhe, siç thotë ai, një pjese të Bordit Ekzekutiv.
Haxhijaj e ka ushtruar këtë pozitë për katër vite e gjysmë, derisa shkrimin e tij e përmbyllur duke thënë se “KOK-u ka filluar të drejtohet si një biznes privat dhe po degradohet.
Ky është postimi i plotë i Haxhijajt në Facebook:
Sot, pas 4 vite e gjysmë, në mënyrë të pa rregullt ligjërisht e proceduralisht, me propozimin e Ismet Krasniqit aktualisht President i KOK, një pjesë e Bordit Ekzekutiv morri vendim për të më shkarkuar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës, edhe përkundër asaj se unë kisha mandat.
Ky vendim i padrejtë i cili u mor sonte pa asnjë arsyetim, thjeshtë për të përmbushur premtime elektorale, shoqërore e grupore, do ta dëmtoi rëndë Komitetin Olimpik të Kosovës.
Sikur ky vendim të ishte marrë për shkak të mos punës sime, për shkak të kryerjes keq të detyrave të mia, apo për shkak të mos respektimit dhe implementimit të vendimeve të Bordit dhe Asamblesë së KOK, mbase do të ishte normale te ndodh shkarkimi.
Mirëpo, sot ndodhi diçka e pazakontë në shoqërinë tonë, shkarkohet një njeri nga detyra e tij pikërisht pse punën e ka kryer ashtu siç duhet, në mënyrë profesionale dhe pa gabime.
Kjo është për keqardhje. Nga po shkon kështu kjo shoqëri e jona, nga po shkon kështu ky vend i shkretë.
A thua nuk ka Kosova dhe sporti kosovar asnjë djalë apo vajzë të përgatitur për të ushtruar detyrën e Sekretarit të KOK, a ne kemi ngelur aq keq, sa duhet njerëz nga Maqedonia të na udhëheqin e drejtojnë sportin e Kosovës.
A thua rezultatet e arritura deri më sot nga KOK, 3 medalje të Arta Olimpike në dy Olimpiada, 4 medalje në Lojërat Evropiane, 1 medalje në Lojërat Olimpike për të rinj, 4 medalje në Lojërat Mesdhetare, 1 medalje në Lojërat Evropiane për të Rinj, si u arritën? Sa është kontributi i KOK këtu?
Pa dyshim kjo është një fyerje e inteligjencës sonë, ky është dekurajim për të rinjtë e të rejat e këtij vendi, që me mund e djersë shkollohen, përgatiten për të drejtuar këtë vend dhe këto institucione dhe dikush krejt në të gatshëm e merr për të drejtuar për interesa të ngushta, shoqërore e private.
Me keqardhje, e me zemër të thyer më duhet të them se KOK ka filluar të drejtohet si një biznes privat, me shokë, shoqe e jarana, KOK falë një grupi të vogël që disa muaj ka filluar degradimin.
Sporti i Kosovës nuk e meriton një gjë të tillë.