Gjermania i bëri thirrje Iranit që t’i rifillojë bisedimet bërthamore me gjashtë fuqitë botërore sa më shpejt që është e mundshme për ta ringjallur marrëveshjen e vitit 2015, tha Ministria e Jashtme e Gjermanisë.
“Ne i kërkojmë fuqishëm Iranit që të kthehet në tavolinën e bisedimeve në mënyrë konstruktive sa më shpejt që është e mundshme. Ne jemi të gatshëm që ta bëjmë këtë, por korniza kohore nuk do të jetë e hapur pafundësisht”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.
Rundi i gjashtë i bisedimeve të tërthorta mes Teheranit dhe Uashingtonit u ndërpre dy ditë pasi Ebrahim Raisi u zgjodh president i Iranit. Ai e mori formalisht pushtetin më 5 gusht.
Që nga prilli, Irani dhe gjashtë fuqitë botërore janë munduar që të gjejnë një zgjidhje për atë se si Teherani dhe Uashingtoni mund të kthehen te respektimi i marrëveshjes bërthamore, nga e cila Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në vitin 2018 dhe kthyen në fuqi sanksione të ashpra kundër Iranit.
Si kundërpërgjigje ndaj veprimit të ShBA-së, Irani filloi t’i shkelte kufijtë e pasurimit të uraniumit të përcaktuar në marrëveshje.
Muajin e kaluar, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe shprehën shqetësim serioz rreth raporteve nga vëzhguesi bërthamor i Kombeve të Bashkuara, i cili vërtetoi se Irani për herë të parë ka prodhuar metal uraniumi me pastërti deri në 20 për qind dhe se e ka rritur kapacitetin e prodhimit të uraniumit të pastër deri në 60 për qind. Sidoqoftë, Irani ka mohuar se ka për qëllim që të zhvillojë armë bërthamore.