Ditën e sotme në Francë nisi aplikimi i një doze të tretë të vaksinës anti-Covid për të moshuarit mbi 65-vjeç dhe për ata që janë të riskuar.
Doza përforcuese do t’ju jepet personave që kanë mbi gjashtë muaj që janë vaksinuar me Pfizer ose Moderna. Ndërsa personat që kanë marrë dozën e vetme Johnson & Johnson mund të marrin vaksinës përforcuese pas katër javësh.
Ministria franceze e shëndetësisë tha se rreth 18 milionë njerëz vlerësohen se kanë të drejtë për vaksinim përforcues. Qeveria ndoqi rekomandimet e autoritetit shëndetësor të vendit, i cili tha muajin e kaluar se “studimet e fundit sugjerojnë një rënie të efektivitetit të vaksinës”.
Franca është përballur me një numër të madh të infeksioneve të konfirmuara që nga korriku, me një rënie të lehtë në javët e fundit. Pothuajse 44 milionë njerëz, ose 65.6% e popullsisë franceze, janë plotësisht të vaksinuar.