Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari për vrasjen që ndodhi mbrëmë në fshatin Gradicë të Drenasit, është dorëzuar në Polici.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se 54-vjeçarit i është sekuestruar një armë zjarri që dyshohet të jetë përdorur në rast.
“Sot rreth orës 08:30, është dorzuar në polici i dyshuari për vrasjen që ndodhi mbrëmë në fshatin Gradicë. Xh. B. (mashkull) 54 vjeç,shtetas i Republikës së Kosovës, të cilit poashtu i është sekuestruar një armë zjarri që dyshohet të jet përdorur në rast. Ndaj tij kanë filluar procedurat e nevojshme policore”, ka thënë Ahmeti.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 dhe bëhet fjalë për vrasje dhe plagosje me armë zjarri.
“Rreth orës 20:30 policia ka pranuar informatën për një vrasje në fshatin Gradicë të Drenasit. Menjëherë pas marrjes së informatës të gjitha njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në të dhënat e deritanishme si dhe veprimeve të para hetimore policia ka ngritur versionin e hetimit se kemi të bëjmë me rast të vrasjes dhe plagosjes me armë zjarri, të ndodhur në një pyll në fshatin e sipërshënuar.
Në këtë rast plagë nga arma e zjarrit kanë marrë dy persona (meshkuj). Njëri nga personat e plagosur nuk ka përballuar plagët dhe ka ndërruar jetë, vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF Drenas,ndërsa i plagosuri i dytë, është dërguar për trajtim mjekësor. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë po vazhdojnë punën hetimore për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarje”, ka deklaruar mbrëmë Ahmeti