Kjo ka ardhur me pak kreativitet dhe fleksibilitet mes Ligue 1 dhe UEFA-s, pasi të ardhurat në klubin francez do të jenë më të mëdha dhe llogaritë do të dalin në rregull.
Edhe në Ligue 1, ashtu si në La Liga ekziston rregulli i një tavani për paga, ku klubet maksimum 70 për qind të të ardhurave mund t’i shpenzojnë për paga.
Por nëse Barcelona ju nënshtrua këtij rregulli, në Francë dhjetorin e kaluar, kur ranë të ardhurat për shkak të stadiumeve të mbyllura dhe largimit të sponsorave, u aprovua një moratorium, pra një shfuqizim i këtij rregulli për disa vjet.
Në anën tjetër UEFA pritet të ketë më shumë tolerancë për pagat, pasi PSG në ta kaluarën ka qenë i detyrua të reduktonte sponsorët nga Katari, duke marr edhe gjoba dhe me kufizime në shpenzime.
Kalimi i Messit te PSG, sipas vlerësimeve të para, do të rrisë me afërisht 20 për qind të ardhurat nga marketingu në klub.
Mjaftueshëm për të qëndruar brenda kufijve të Fair Play Financiar.
Por PSG duhet të planifikojë një seri shitjesh për të kufizuar humbjet që vlerësohen në 200 milionë euro, sipas buxhetit të depozituar në ligën franceze.
Klubi shpreson të shes lojtarë të paktën në vlerë 150 milionë euro.
Francezi Kylian Mbappe konsiderohet i pashitshëm, por i pari në listë është Mauro Icardi.