Friday, October 18, 2024
HomeUncategorizedZjarr në gjashtë vatra në Istog – dyshohet se mund të jetë...

Zjarr në gjashtë vatra në Istog – dyshohet se mund të jetë ndezur qëllimshëm

Mesditën e sotme, zjarri ka përfshirë gjashtë vatra në fshatrat e Komunës së Istogut. Nga ndërhyrja e banorëve, zjarrfikësve e policisë, është arritur të lokalizohet zjarri dhe situata të jetë nën kontroll

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Istogut, Enver Rugova, ka deklaruar se në fshatin Llukafc i Begut është rrezikuar të digjet edhe shkolla.

Po ashtu, ai tha se në fshatin Prekallë janë rrezikuar shtëpitë dhe një pompë derivatesh.

“Para më shumë se tri orëve situata ka qenë jashtë kontrollit, zjarri ka qenë afër shkollës në Llukafc i Begut, për pak metra janë shpëtuar shkolla e re dhe e vjetër. Në Prekallë kompleksi i një pompe derivatesh dhe disa shtëpi janë shpëtuar për pak. Kemi pasur dy vatra zjarri në fshatin Dobrushë, janë rrezikuar disa shtëpi por zjarri është lokalizuar”, ka deklaruar Rugova.

Rugova tha se në fshatin Bellopojë zjarri është ende aktiv, por nën kontroll.

“Kemi një vatër zjarri në Bellopojë, zjarri është ende aktiv, zjarrfikësit, policia dhe banorët po luftojnë me zjarrin, zjarri është nën kontroll. Afër stacionit shpërndarës të rrymës Peja 3 në Shushicë të Ulët, ka pasur zjarr shumë afër, por e i kemi fikur. Do të bëhej një katastrofë në aspekt të furnizimit më rrymë në Kosovë. Ka zjarr nga pak nëpër vatra, por është nën kontroll”, ka deklaruar Rugova.

Rugova deklaroi se organet komunale janë lajmëruar për zjarr edhe në bjeshkët e Moknës.

“Kemi lajmërime edhe në bjeshkën e Moknës, ku ka qenë para tri ditësh një zjarr i madh, por është lokalizuar dhe shumë shpejt do të shuhet. Të gjitha organet komunale, shtetërore, policia, zjarrfikësit, kompania Ambientit, drejtoria e Shërbimeve Publike janë në gjendje emergjente në Istog”, ka deklaruar Rugova.

Ai tha se në bashkëpunim me drejtorin e policisë rajonale të Pejës dhe hetuesit tjerë të policisë në Istog e kanë shikuar gjendjen dhe dyshohet se zjarret ishin të qëllimshme.

“Dyshimet janë se zjarrvëniet janë të gjitha ose nga ndonjë pakujdesi apo mund të themi edhe të qëllimshme, sepse brenda një ore janë të gjitha këto vatra të zjarrit”, ka deklaruar Rugova.

Ndryshe, gjatë ditëve të fundit është raportuar për vatra zjarri në shumë fshatra të vendit.

Situata me zjarret po vazhdon të jetë e rëndë në bjeshkët e Rugovgës, nga ku janë evakuuar edhe banorët.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments