Një aeroplan i Luftës së Dytë Botërore, i cili ka rënë në ujërat e liqenit të Pogradecit, ka ngjallur kureshtjen e disa zhytësve nga Prishtina për ta parë atë nga afër. Tre prej tyre këtë fundjavë kanë zhvilluar për orë të tëra kërkime në ujërat e liqenit në kërkim të pjesëve të këtij aeroplani.
Por, pavarësisht këmbënguljes së tyre për orë të tëra dhe fakti që nuk kishin koordinata të sakta, ata nuk e kanë gjetur aeroplanin.
Besart Kasumi, një i ri nga Prishtina, e ka parë këtë aeroplan para 5 vjetësh në një tjetër ekspeditë dhe këtë herë thotë se kishin ardhur për të parë se sa dhe si kanë ndryshuar pjesët e tij.
Ai shkon më tej kur thotë se liqeni i Ohrit ka një tejdukshmëri të lartë dhe një botë ujore mjaft interesante, e cila duhet zbuluar nëpërmjet zhytjeve turistike që duhet të ofrohen.
Aeroplani i Luftës së Dytë Botërore është një “Speed Fire”, i cili është rrëzuar në një thellësi prej 7 metrash në liqen gjatë luftimeve.