Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në vitin e kaluar ka paguar mijëra euro për zyrtarët serb që nuk kanë shkuar në punë, po ashtu ka bërë edhe kompensime shtesë të komisioneve të brendshme për punë brenda orarit.
Duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit, përkatësisht në Ligjin nr.04/L199 për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Qeveria e Kosovës me vendim nr. 06/39 të datës 22.07.2015, ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për Shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojta Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës, si dhe mbështet zotimet e përcaktuara me këto konkluzione.
Por, për disa institucione në Kosovë ky grup etnikë akoma nuk është shpërbërë, shkruan lajmi.net.
Në MASHTI, pas një procesi të rekrutimit me akt-emërime ishin integruar 32 nëpunës të komunitetit serb, ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”. Këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, në akt-emërimet e tyre, të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri. Për këta punonjës, MASHTI, nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës për t’i kryer detyrat për të cilat janë të ngarkuar me kontrata, përderisa ishte bërë pagesa e rregullt e pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2020, për këta 32 zyrtarë është 135,760 euro.
Kjo është evidentuar në Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2020.
“Ndonëse MASHTI kishte kërkuar nga Qeveria përkrahje lidhur me zgjidhjen e këtij problemi, kjo e fundit nuk kishte marrë ndonjë veprim. Përveç kësaj kërkese, MASHTI nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim për të siguruar vijueshmërinë e këtyre zyrtarëve në vendin e punës.
Pagesa e pagave për punonjës që nuk paraqiten në punë, shkakton dëmtim të buxhetit të ministrisë si dhe mos arritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar në raport ZKA.
Kompensim shtesë i komisioneve të brendshme për punë brenda orarit
Sipas neni 80 të Ligjit për menaxhimin e financave publike nuk lejohet kompensimi shtesë nëse një punonjës, shërbyes civil ose zyrtar i një autoriteti publik ose organizate buxhetore, sipas një akti të Qeverisë, kërkohet që të shërbejë në një komision, bord ose organ apo autoritet tjetër publik. Shërbimi konsiderohet pjesë e detyrave të obligueshme të postit të cilin e mban punonjësi, shërbyesi civil ose zyrtari i sipër cekur.
ZKA ka vërejtur se në tetë raste, në Administratën e MASHTI, anëtarët e komisioneve të ndryshme ishin kompensuar me pagesë shtesë, derisa takimet i kishin mbajtur gjatë orarit të rregullt të punës. Pra, nuk kishte dëshmi se anëtarët e këtyre komisioneve kishin punuar jashtë orarit të rregullt të punës, andaj nuk do të duhej të merrnin kompensime shtesë. Vlera e kompensimeve për anëtarët e komisioneve për vitin 2020 ishte 5,617 euro. Këto komisione ishin emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Ministri.
“Kjo kishte ndodhur për shkak se kërkesat për kompensime ishin thirrur në punë shtesë, ndërsa nuk ishin marrë parasysh ndalesat ligjore për këto lloje të kompensimeve.
Pagesat e realizuara ndaj punonjësve nuk janë të mbështetura me bazë ligjore, dhe si të tilla, mund ta dëmtojnë buxhetin e ministrisë për vlerën e shpenzuar”, ka shkruar auditori në raport.
Kompensim i komisioneve të brendshme në kundërshtim me kërkesat ligjore
Katër nga gjashtë Universitetet në kuadër të MASHTI me aprovim të Këshillit Drejtues kishin përfshirë në rregulloret e tyre të brendshme kompensime shtesë për pjesëmarrje në disa lloje të komisioneve. Komisionet e tilla ishin për pjesëmarrje në hapje dhe vlerësimin e ofertave të prokurimit, regjistrimin dhe vlerësimin e pasurisë, planifikimin e buxhetit, pranimin e studentëve të rinj, për ankesa dhe parashtresa, rekrutim të stafit, ndarjen e bursave, hartimin e strategjive dhe rregulloreve mbështetëse.
ZKA vlerëson se disa pika të këtyre rregulloreve bien ndesh me kornizën ligjore për menaxhimin e financave publike, respektivisht janë në kundërshtim me nenin 80 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, pasi që angazhimi në punë gjatë orarit të rregullt do të duhej të jetë pjesë e pandashme e detyrave të punës për të cilën punonjësit e marrin pagën bazë.
“Përkundër rekomandimit nga viti i kaluar, tri Universitete ende nuk kanë ndërmarrë veprime për plotësim ndryshimin e rregulloreve për kompensimin e komisioneve të brendshme. Universiteti i Prizrenit me vendim të KD me datën 03.11.2020, kishte bërë plotësimin dhe ndryshimin e rregullores, mirëpo nuk kishte shfuqizuar të gjitha nenet të cilat parashohin kompensimet e komisioneve”.
Nga mostrat e testuara nga ZKA në Universitetin “Kadri Zeka” Gjilan, është vërejtur se punonjësit ishin kompensuar për pjesëmarrje në komisionin për hartimin e rregulloreve derisa takimet i kishte mbajtur gjatë orarit të rregullt të punës. Vlera e kompensimeve shtesë për anëtarët e këtij komisioni për muajin korrik, tetor, nëntor dhe dhjetor ishte 3,295 euro.