Saturday, November 23, 2024
HomeTjeraKuzhinaKrem i lehtë me biskota – Ëmbëlsira e ditës

Krem i lehtë me biskota – Ëmbëlsira e ditës

Duke e shndërruar ëmbëlsirën tuaj të preferuar, në një shije krejtësisht të re.

 

Kjo mund të jetë ëmbëlsira më e lehtë për t’u përgatitur, e cila mund t’iu shpëtojë kur duhet të gjeni një zgjidhje të shpejtë.

Në ndryshim nga kremi klasik i zupave, kremi i përgatitur me qumësht dhe pana është akoma edhe më i butë.

Përbërësit

250 ml qumësht

25g miell

75 g sheqer

180 ml pana

20g sheqer pluhur

3 të verdha vezësh

1 paketë me vanilje

1 pako biskota të gatshme të thjeshta

Përgatitja e kremit

Vendosni qumështin për t’u ngrohur dhe hidhni në tenxhere edhe vaniljen.

Ndërkohë në një tas të madh rrihni të verdhat e vezëve me sheqerin derisa të shkrihen kokrrizat e tij.

Shtoni aty edhe miellin dhe përsëri përzjejeni që të mos krijohen kokrriza.

Hidhni qumështin e ngrohur tek tasi me përzierjen dhe rriheni me telin e kuzhinës.

Kalojeni përzierjen në tenxhere dhe vendoseni në zjarr duke e përzierë derisa të mpikset.

Kur kremi të jetë mpiksur kalojeni  në një tas në mënyrë që të ftohet.

Prisni derisa kremi të jetë ftohur plotësisht përpara se të vazhdoni.

Ndërkohë në një tas tjetër rrihni panën me sheqerin pluhur.

Përzjejini të dy llojet e kremrave derisa të përfitoni një masë homogjene dhe të plotë.

Përgatitja e ëmbëlsirave

Merrni disa tasa të vegjël apo gota dhe në fund hidhni pak nga kremi i përgatitur.

Më pas shtoni një shtresë me biskota të thërrmuara.

Përsërisni këta hapa derisa në fund të keni përfunduar me një shtresë kremi.

Nëse dëshironi biskotat e thërrmuara mund t’i përzieni me lëkurën e grirë të një portokalli për një shije akoma dhe më të freskët.

Futni në frigorifer për 20-30 minuta para se t’i servirni.

Duke qenë se përgatitet në tasa apo gota, secili prej familjarëve do të ketë një sasi perfekte për të shijuar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments