Italia dhe Spanja do të përballen sonte në një ndeshje gjysmëfinale në Euro 2020, e cila premton të jetë klasike, duke e parë formën e të dy ekipeve kombëtare.
Takimi i sotëm në Wembley do të jetë i katërti radhazi në Kampionate Evropiane mes këtyre dy kombëtareve të mëdha.
Fituesi i këtij takimi takohet në finalen e 11 korrikut në Wembley me fituesin e takimit tjetër gjysmëfinal mes Anglisë dhe Danimarkës.
Ky do të jetë takimi i shtatë mes Italisë dhe Spanjës në evropiane, me Spanjën që vetëm një herë ka fituar brenda 90 minutave, në finalen e vitit 2012 ku triumfoi 4:0.
Italia e mundi Spanjën në 1/8 e finales të Kampionatit të kaluar Evropian, Euro 2016.
Derisa Spanja është në kërkim të titullit të tretë evropian, çuditërisht Italia e ka fituar evropianin vetëm një herë, në vitin e largët 1968.
Pritjet për këtë takim janë të mëdha, duke e parë formën e të dy ekipeve kombëtare, megjithëse Italia është treguar më bindëse me lojë në fushë.
Skuadra e Roberto Mancinit nuk ka pësuar humbje në 32 ndeshjet e fundit, që prej shtatorit të vitit 2018.
Ndërsa, Spanja e Luis Enriques e ka pësuar vetëm një humbje në 29 ndeshjet e fundit dhe është e pamposhtur në 13 ndeshjet e fundit.