Shaban Deliu, ka dy dekada që kujdeset për një varr brenda të cilit nuk gjendet trupi i babait të vrarë.
Për këtë varr, kujdeset pothuajse çdo ditë.
Por në të, pavarësisht mbishkrimit, nuk gjenden eshtrat e babait të tij, Nezir Deliut.
Ky i fundit ishte në mesin e 98 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe me 5 Prill të vitit 1999, në Rezallë të Skenderajt.
Ani pse tani kanë kaluar dy dekada pa ditur gjë se ku ndodhet trupi i familjarit të tyre, Shaban Deliu, e kujton në detaje ditën kur forcat serbe rrethuan fshatin Rezallë të Skenderajt.
Pasi vranë 98 civilët e pambrojtur, forcat serbe zhdukën edhe kufomat.
Trupat e disa prej tyre, u gjetën me pas në shtetin serb, në Rudnicë të Rashkës.
Por në mesin e tyre, nuk ishte edhe trupi i Nezir Deliut dhe dhjetëra të vrarëve të tjerë.
E tani familjarët, shpresa kanë që eshtrat e me të dashurit të tyre, të gjenden në lokacionin e ri të gërmimeve, në Kizhevak.