Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka prezantuar kandidatin për kryetar të Fushë Kosovës, Hasan Ismajlin.
Këtë e ka bërë të ditur vet Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Për vite me radhë ai është një luftëtar i madh në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Fushë Kosovës, andaj me plotë bindje e themi se Hasan Ismajli është zëri i tyre. Ai do të jetë kandidat i Aleancës për kryetar të Fushë Kosovës, në funksion të realizimit të Programit Zgjedhor që do të sjellë më shumë punësim e mirëqenie. Për Fushë Kosovën, Hasan Ismajli nuk është vetëm sportisti legjendar të cilit i brohorisnin në stadiume. Ai është njeriu i tyre, të cilit mund t’i drejtohen për të gjitha kërkesat, një prej njohësve më të mirë të funksionimit të komunës”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se Hasan Ismajli me një guxim intelektual të trashëguar nga daja i tij Akademik Idriz Ajeti, do të vendoset përball keqqeverisjes, për të ofruar zgjidhje për problemet.
“Fushë Kosova po rritet dita ditës. Ajo është bërë vendbanim i qytetarëve nga i tërë vendi, por edhe nga të gjitha trojet shqiptare. Hasan Ismajli me një guxim intelektual të trashëguar nga daja i tij Akademik Idriz Ajeti, do të vendoset përball keqqeverisjes, për të ofruar zgjidhje për problemet, por edhe reformë të thellë të mentalitetit qeverisës sipas modeleve më të mira amerikane e evropiane”, ka përfunduar Haradinaj.