Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur fjalim në Samitin e Prespës ku nuk ka lënë pa përmendur zhgënjimin e tij me mospërmbushjen e premtimit të BE-së për heqjen e vizave.
Kurti këto fjalë i tha kur foli për mos-hapjen e negociatave nga BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke aluduar se Kosova e di ndjenjën e zhgënjimit nga mos-realizimi i zotimeve nga ana e Bashkimit Evropian.
“Republika e Kosovës e ndan zhgënjimin me vendimin e BE-së për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Si vend që na është mohuar liberalizimin i vizave e kuptojmë zhgënjimin tuaj. BE-ja është e ngadaltë, i mungon uniteti, por megjithatë është shpresa jonë më e mirë dhe alternativa e vetme që e kemi. Ne i takojmë këtij rajoni. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe jemi shtete fqinje të shteteve të BE-së”, tha Kurti.
Sipas tij, në vend që vendet e Ballkanit të vazhdojnë ndjesinë e frustrimit me vendet e BE-së, duhet fillimisht ta pyesin veten se çka mund të bëjnë për të arritur aty.
Kurti theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimore duhet të punojnë që të bëhen anëtarë të BE-së. E sipas tij kjo mund arritet vetëm nëse vendet e Ballkanit e pranojnë të vërtetën historike dhe realitetin.
“Nëse shohim brenda nesh, shohim se kemi shumë probleme. Ekziston lufta me pushtete autoritare dhe kundër monopoleve kriminale dhe kundër thyerjes së shtetit të së drejtës, mospranimi i të vërtetës historike dhe aktrimi se mund të ndërtojmë shoqëri demokratike në mes të kombeve tona vetëm duke mohuar se çfarë ka ndodhur dhe duke u munduar që ta ndryshojmë realitetin”, deklaroi ai.
E kryeministri kosovar nuk foli mirë për Mini-Shengenin para kryeministrit Rama.
Këtë nismë ai e quajti si diçka që nuk ka vizion për rajonin dhe të cilin Kosova e kundërshton ashpër.
“Një pjesë e madhe e përgjegjësisë qëndron tek BE, por edhe ne duhet që t’i kryejmë detyrat e shtëpisë. Edhe ideja e Novi Sadit për ‘Mini Schengenin’, një iniciativë që nuk ka vizion për rajonin, dhe që Republika e Kosovës e kundërshton ashpër, si e tillë duhet të flaket tutje. Pakënaqësia me BE-në nuk duhet të instrumentalizohet nga vendet që nuk e duan NATO-në dhe që e favorizojnë Rusinë”, tha kryeministri Kurti.