Me gjashtë vota për, një kundër dhe një abstenim, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, ka iniciuar shkarkimin e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudha dhe i është dërguar Kuvendit për miratim.
Për kanë votuar deputetët e pozitës në këtë komision, deputeti i PDK-së ka qenë kundër, ndërsa deputeti i LDK ka abstenuar.
Kërkesën për shkarkim e ka bërë deputeti i LVV-së Salih Zyba, i cili tha se edhe në mbledhjet e mëhershme ka dhënë arsyet se pse Bordi duhet të shkarkohet, derisa përmendi vlerësimet negative që i kanë bërë punës së bordit.
“Në raportimin që ka qenë dhe në diskutimet që i kemi bërë e në veçanti përmes formës që i kemi dhënë një vlerësim negativ punës së këtij bordi, konsideroj që sot çështja është vetëm e votimit”, tha ai.
Kundër shkarkimit ishte deputeti i PDK-së, Fadil Nura, i cili tha se raporti i Auditimit për këtë bord ka qenë ndër më të mirët.
“Për ata votova kundër rendit të ditës, për vet faktin e futjes së kësaj pike të rendit të ditës, sepse vlerësojmë që është e paarsyeshme, ne e kemi analizuar mirë, kemi pa edhe raportin e Auditorit për këtë Bord, i cili ka qenë një ndër më të mirët. Kështu që, nuk shoh arsye… Parimisht jam kundër”, tha ai.
Ndërsa, deputeti i LDK-së Besian Mustafa, ka abstenuar në votim me arsyetimin se është kundër votimit kolektiv dhe ka kërkuar që të bëhet vlerësim të performancës për secilin anëtarë veç e veç.
“Nuk dua dhe nuk mundemi asnjëri këtu të paragjykojmë vlerësimet tona, mirëpo besoj që vlerësimet siç kanë qenë vlerësime individuale kur këta anëtarë Bordi janë përzgjedhur, mendoj që edhe vlerësimet duhet të jenë individuale mbi performancën e tyre. Pra, nëse kemi një propozim për 1, 2, 3 edhe të gjithë anëtarët e Bordit por veç e veç. Do të parapëlqeja që të kemi një shqyrtim, një vlerësim të performancës të anëtarëve të Bordit veç e veç dhe të votonim për secilin anëtarë veç e veç, e kam problem në parim votimin kolektiv”, tha ai.