Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës Donika Gërvalla, po merr pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me temë: “Ballkani Perëndimor: Pjesa që mungon për të qenë Evropa e plotë”, që po zhvillohet në Ohër.
Gërvalla ishte pjesë e dy paneleve të diskutimit, atij të ministrave të jashtëm si dhe në sesionin ku u diskutua çështja e avancimit të grave, paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë adresimit të saj në takimin e ministrave, ajo foli rreth artit të diplomacisë, mënyrave dhe mjeteve se si të arrihen zgjidhje të qëndrueshme përmes ndërtimit të besimit dhe respektit të ndërsjellë, tejkalimit të çështjeve të hapura rajonale dhe ecjes përpara drejt anëtarësimit në BE.
Gërvalla ka theksuar se përmes artit të diplomacisë mund të arrihen zgjidhje të qëndrueshme, vetëm nëse ato zgjidhje bazohen në fakte.
Ekziston një domosdoshmëri për të folur për të vërtetën, dhe gjithashtu ka një nevojë për të folur edhe për atë të vërtetë që mund të jetë e papërshtatshme”, ka thënë ajo, duke shtuar se arti i diplomacisë nuk nënkupton që të mos flasësh për probleme vetëm që të gjithë të ndihen mirë.
Teksa diskutohej për ndërtim të besimit, ministrja ka theksuar se duhet të adresohet nevoja për ndryshim të qëndrimeve në rajon. Gërvalla ka konsideruar se shtetet e rajonit duhet të flasin hapur mes vete brenda rajonit por edhe me partnerët në BE.
“Të gjithë e dinë se integrimi i të gjithë rajonit në BE do të bllokohet, për sa kohë që Serbia bllokon këtë rrugë duke refuzuar të pranojë realitetin”, ka thënë ajo.
Kryediplomatja kosovare gjithashtu ka shtuar se Bashkimi Evropian nuk është karrem, por zgjedhje fundamentale. Njëkohësisht ka theksuar se duhet përballur edhe me faktin se brenda BE-së ka forca politike që janë kundër zgjerimit.
“Nuk ka asnjë mënyrë që BE-ja të pranojë rajonin e Ballkanit Perëndimor në BE me ngarkesa të mëdha dhe konflikte mbi supe. BE-ja thjesht nuk është e gatshme të importojë problemet tona”, shtoi ndër të tjera ajo.
Gërvalla ka përmbyllur fjalën e saj duke vlerësuar se arti i diplomacisë është shumë më pak i rëndësishëm krahasuar me artin e politikëbërjes.
“Ka të bëjë me politikën, ka të bëjë me njerëzit, interesat e tyre. Ka të bëjë me detyrën tonë për të zbatuar sundimin e ligjit. Ka të bëjë me qëllimin tonë për t’u bërë një rajon me të vërtetë evropian, ku standardet dhe vlerat evropiane janë të vlefshme”, theksoi ajo.
Kurse në diskutimin për çështjen e avancimit të grave, Gërvalla ka theksuar se për të mbetet e rëndësishme që të mbyllet hendeku i pabarazisë që vazhdon të jetë i gjerë. “‘Respekt‘ është një fjalë shumë e rëndësishme, dhe një qëndrim shumë i rëndësishëm në kulturën tonë. Por respekti përdoret kryesisht nga burrat për të kërkuar respekt kundrejt burrave. Megjithatë, në të njëjtën kohë shpesh është edhe mosrespektim i arritjeve dhe potencialit të grave. Ky mosrespekt po e ngadalëson shumë zhvillimin e shoqërive, ekonomive dhe kuadrit politik në Ballkan“, ka shtuar ajo.
Teksa ka folur për sfidat e grave në shumë aspekte, ajo ka përmendur edhe faktin e përfaqësimit të grave në Parlamentin e Kosovës, të cilat kanë marrë mbështetje shumë të madhe në zgjedhjet e fundit.