Duke u nisur nga jeta modeste që kryeministri Kurti bën, ai i ka dhënë të drejtë vetës që në akuzat ndaj ish-pushtetarëve ta përfshinte edhe “shtëpinë luksoze në Marigonë”. Albin Kurti, lider i majtë, shtëpinë luksoze në Marigonë, e përmendte kur do të përshkruante negativisht pushtetarin dikur luftëtar. Si ndodhi që njerëzit e afërt të Kurtit, si bie fjala, ministri Liburn Aliu, të jenë fqinj të kapitalistëve dhe ish-pushtetarëve?
Në fund të vitit të kaluar, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka blerë banesë në një prej lagjeve më luksoze të vendit, “Marigona Hill”.
Sipërfaqja e banesës është 90.48 metra katrorë, derisa e terasës 21.26 metra katrorë.
Sipas Aliut, kjo banesë kushton 103 mijë euro. Deri tash, thotë se ka paguar 20 mijë euro nga kjo vlerë, derisa i ka borxh “Marigona Hill”, edhe 83 mijë euro.
Ai ka afat që të kryejë pagesën deri në dhjetor të vitit 2023, me mundësi të ndryshimit të kontratës në rast të mosarritjes së realizimit të pagesës.
“Poashtu si sqarim shtesë në lidhje me detyrimin financiar ndaj “Marigona Hill” shpk. Me këtë kompani është lidhur edhe një para-kontratë për blerje të banesës me vlerë 103,000.00€ me 19 tetor 2020, në mes të kësaj kompanie dhe mua personalisht, nga të cilat janë paguar 20,000.00€ janë paguar (pas mjeteve të marra të kompensimit për ish të burgosurit politikë) dhe 83,000.00€ kanë mbetë të papaguara me afat deri në dhjetor 2023, me mundësinë e ndryshimit të kontratës në rast të mosarritjes së realizimit të pagesës”, ka deklaruar Aliu në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Përveç Aliut, pronë në këtë lagje luksoze ka edhe prindi i tij. Aliu ka thënë se prindi i tij posedon një banesë që ka sipërfaqe 89.7 metra katrorë dhe një terasë që ka 22 metra katorë.
Për këtë banesë, prindi i ka borxh “Marigona Hill” 23 mijë euro.
Një vit më parë, Albin Kurti, kur kritikonte deputetët e partive të tjera, u përmendte shtëpitë në lagjen luksoze.
Madje, në një seancë të Kuvendit, ai ishte përplasur verbalisht me deputetin e AAK’së, Daut Haradinajn dhe kishte përmendur se në Kosovë është bërë situata e atillë që luftëtari të shpërblehej me shtëpi në lagjen “Marigona”. Dihet se Haradinaj ka shtëpi në lagjen “Marigona Residence”.
Kurti kishte thënë se qasja e Haradinajt e ka sjellë situatën në atë pikë që luftëtari duhet të shpërblehet me ndonjë shtëpi pikërisht në këtë lagje.
“Qasja e juaj e ka sjellë situatën kur luftëtari duhet të shpërblehet me naj shtëpi në “Marigonë” me naj biznes, me naj terminal doganor, me naj kompani me do hektar tokë bujqësore që i shndërron në motele e në autostradë, e kjo është gabim. Më falni kjo është logjikë mercenari, mercenari shkon në luftë dhe paguhet po këtu po i bjen që duhet me marr vetë se s’ka kush paguan”, i kishte thënë Kurti Haradinajt.