Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka vendosur që të mos kandidojë për kryetar të partisë. Qëndrimin e tij Hoxhaj e bëri të ditur përmes një konference për media.
Ai tha se nuk po ik nga përgjegjësia, por se mendon që ky vendim do t’i kontribuojë unitetit në parti.
“Unë nuk jam kandidat për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo nuk është ikje nga përgjegjësia, nuk është ikje nga detyra, nuk është ikje nga puna”, tha Hoxhaj, teksa theksoi se do të mbetet i angazhuar në PDK.
Ai nuk tregoi nëse do të ketë kandidatë të tjerë në garë me Memli Krasniqin të shtunën, por tha se lidershipi i ri mund ta bëjë ndryshimin e pritur.
“Gjenerata e re mund ta bëjë ndryshimin në Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa detyra jonë është që ta mbështesim lidershipin e ri”, tha Hoxhaj, ndërsa shtoi se është koha që PDK-ja të rikonstruktohet.
Ai nuk deshi ta komentojë kandidaturën e anëtarit të Kryesisë së PDK-së, Memli Krasniqi, i cili deri tani është kandidati i vetëm për kryetar.
Konventa e Përgjithshme e PDK-së mbahet të shtunën. Aty pritet të zgjidhet kryetari i ri i partisë dhe strukturat e reja të larta udhëheqëse.