Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të mërkurën e javës së ardhme të mbahet seanca e radhës e Kuvendit.
Në rend të ditës Kryesia vendosi që pikë e radhës së rendit të ditës të jetë propozim- rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.
Poashtu në seancën e të mërkurës do të ketë debat parlamentar edhe për qëndrimet e Qeverisë së Kosovës për marrëveshjen e Washingtonit.
Njoftimi i plotë:
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, të drejtuar nga Glauk Konjufca, kryetar, vendosi që të mërkurën, më 07 korrik 2021, në orën 10:00, të mbahet seancë e rregullt.
Seanca e së mërkurës do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, për të vijuar me pyetjet parlamentare.
Pas këtyre pikave, Kryesia vendosi që pikë e radhës së rendit të ditës të jetë propozim- rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.
Seanca e rregullt do të vijojë me debat parlamentar në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së Ëashingtonit, sipas propozimit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas debatit parlamentar, seanca do t’i vijojë punimet me shqyrtimin e Raportit Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020; shqyrtimin e Raportit Vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020, dhe shqyrtimin e Raportit të punës së Akademisë së Drejtësisë për vitin 2020.
Në rend dite, Kryesia vendosi edhe shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Po ashtu, Kryesia vendosi që të fus në rend dite për këtë seancë edhe zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Trashëgimi Kulturore, si dhe zgjedhjen e një anëtari të Autoritetit Rregullativ të Ujit.
Kryesia, në mbledhjen e sotme, ndër tjera vendosi që të formojë një grup punues për përgatitjet në lidhje me shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.