Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaVrasja e vëllait me bisht të sëpatës, Gjykata refuzon si provë ekspertizën...

Vrasja e vëllait me bisht të sëpatës, Gjykata refuzon si provë ekspertizën mjekoligjore të mbrojtjes

Gjykata Themelore në Pejë ka refuzuar të administrojë si provë ekspertizën mjekoligjore të dorëzuar nga mbrojtja e Asllan Nikqit, i akuzuar për vrasjen e vëllait të tij, tani të ndjerit Metë Nikqi.

Në seancën e mbajtur të enjten, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Mustafë Kastrati tha se ekspertiza e realizuar nga ekspertë të Republikës së Shqipërisë, provonte se vdekja e të ndjerit nuk kishte ardhur nga veprimi i të mbrojturit të tij.

Mirëpo, administrimin e kësaj ekspertize si provë e ka refuzuar trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Sami Sharraxhiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Sharraxhiu, ekspertiza mjekoligjore nuk plotësonte kushtet ligjore, pasi mbrojtja nuk kishte shtjerrë mundësitë që ekspertiza të realizohet nga ekspertë të Republikës së Kosovës.

“Në rastin konkret, nuk është vepruar konform Ligjit nr. 05/L-60 për Mjekësinë Ligjore, gjegjësisht nuk janë shtjerrë të gjitha mundësitë për ekspertizë në Republikën e Kosovës siç parashihet në nenin 15, paragrafi 1 dhe 2. Në rastin konkret, nga ana e mbrojtjes me asnjë provë nuk është vërtetuar fakti se është provuar që kjo ekspertizë mjekoligjore të punohet nga ekspertët tjerë të licencuar nga Republika e Kosovës”, tha gjykatësi Sharraxhiu.

Me këtë arsyetim të gjykatës nuk u pajtua avokati Kastrati, i cili refuzimin për administrimin e ekspertizës e konsideroj shkelje të ligjit.

“Arsyet e dhëna për vendimin e refuzimit, keni kryer shkelje të dispozitave ligjore. Ne në rrugë ligjore e kemi siguruar ekspertizën e cila është shkencore në raport me ekspertizën 2 faqe të prokurorisë. Ne kemi kërkuar disa herë nga gjykata që të bëhet një ekspertizë e re në Kosovë, mirëpo është refuzuar”, tha avokati Kastrati.

Në këtë gjykim, trupi gjykues po ashtu refuzoi administrimin e disa CD-ve të propozuar nga pala e dëmtuar dhe mbrojtja e të pandehurit, pasi sipas gjykatës, nuk ishin kontestuese raportet konfliktuoze mes të ndjerit dhe të pandehurit, të cilat ishin pjesë e CD-ve.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 2 korrik 2021, nga ora 10:00, gjatë së cilës palët dhe trupi gjykues do të dalin në rikonstruim, në vendin ku dyshohet se është kryer vepra penale.

Ndryshe, Sipas Prokurorisë Themelore të Pejës, vrasja e tani të ndjerit Metë Nikqi, nga vëllai i tij Asllan Nikqi, kishte rezultuar si pasojë e problemeve pronësore.

I akuzuari Asllan Nikqi akuzohet se me bisht të sëpatës e ka privuar nga jeta vëllain e tij, Metë Nikqi, ndërsa djali i tij, i mituri A.N dyshohet për veprën penale të pjesëmarrjes në rrahje.

Më 24 gusht 2020, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale dhe atë, nga vrasja e rëndë në vrasje të rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, dhe ndaj të akuzuarit kishte shqiptuar 15 vite burgim.

Ndaj të miturit është shqiptuar masa edukative e mbikëqyrjes së shtuar nga ana e prindit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më 27 nëntor 2020, Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e Gjykatës së Pejës pasi kishte konstatuar se ishte marrë në shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.

Apeli ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë për të pandehurin Asllan Nikqi nuk përputhej me emërtimin ligjor të veprës penale për të cilin i pandehuri është shpallur fajtor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 30 shtator 2019, Asllan Nikqin akuzohet se më 26 prill 2019, rreth orës 18:00, në afërsi të Rekës së Allagës në Pejë, me bisht të sëpatës e ka privuar nga jeta vëllain e tij, këtu viktimën Metë Nikqi.

Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve jo të mira mes familjeve të viktimës dhe të pandehurit të krijuara nga kontestet pronësore, lidhur me një pronë në mal, i pandehuri në ditën kritike së bashku me të miturin A.N, shkojnë në bjeshkë për të marrë drunjë dhe në momentin kur marrin drunjët, duke dashur t’i largojnë trupat nga traktori, viktima e kishte njoftuar policinë për prerjen e drunjëve dhe pasi policia nuk i përgjigjet, iu del përpara të pandehurit dhe të miturit.

Siç thuhet në aktakuzë, viktima i kishte sulmuar me sëpate të pandehurin i cili arrin që t’ia marrë sëpatën nga dora dhe me bisht të sëpatës e godet viktimën në kokë dhe në pjesë tjera të trupit, ku në këtë rrahje merr pjesë edhe i mituri A.N e më pas largohen nga vendi i ngjarjes duke e lëndë viktimën në gjendje të rëndë shëndetësore.

Si pasojë e këtyre goditjeve, viktima gjendet i vdekur pas dy dite në rrugën e fshatit Reka e Allagës dhe atë në vijë ajrore prej 1,200 metra nga vendi ku ka filluar përleshja fizike, me çka i akuzuari Nikqi thuhet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 i Kodit Penal të Kosovës.

Kurse, i mituri A.N. thuhet se kishte marrë pjesë në rrahje e cila ka rezultuar me vdekjen e tani viktimës Metë Nikqi, me çka ka kryer veprën penale “pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments