Sot skadon afati për Serbinë për zhvendosjen e Ambasadës në Jeruslem, dakordim ky që u arrit në Washington më 4 shtator. E Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka lënë të kuptohet se nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Uashingtonit në të cilën është zotuar për zhvendosjen e Ambasadës së Serbisë nga Tel Aviv në Jerusalem. Vuçiq ka thënë se do të veprojnë në interes të Serbisë për këtë çështje, duke theksuar se që kur Izraeli e ka njohur Kosovën ka ndryshuar edhe qëndrimi i Serbisë.
“Ne kemi pasur marrëveshje dhe kam pasur bisedë me kryeministrin e Izraelit, qartë ia kam thënë që nuk e nënshkruaj një dokument të përbashkët me shqiptarët dhe amerikanët, por vetëm me amerikanët, dhe kjo kishte të bënte edhe me raportet e Izraelit me ne”, ka thënë Vuçiq.
Kreu i shtetit serb ka thënë se Izraeli s’mund të kërkojë diçka të tillë nga Serbia, meqë e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
“Mos u shqetësoni për pozitën e Serbisë. Ne do të veprojmë në akordancë me ligjin ndërkombëtar, por edhe me interesin e Serbisë, dhe këto interesa kanë ndryshuar që kur Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ne respektojmë miqësinë me Izraelin, por respektojmë dhe vetveten. Ju s’mund të na thoni, që ne kemi njohur pavarësinë e një pjese të territorit tuaj, dhe ju vazhdoni sepse jeni nën presion nga ata që na kanë bërë presion neve, bëjeni të njëjtën”, ka thënë Vuçiq.
Në fund Vuçiq ka thënë se Serbia është shtet i pavarur dhe do të vepron në interes të Serbisë.