Danimarka ka arritur ta sigurojë kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Evropian pasi mposhti me rezultat të thellë 0:4 Uellsin.
Dolberg realizoi golin e parë në minutën e 27-të të ndeshjes. Ai pranoi një top nga Damsgaard dhe bukur u lirua nga lojtarët dhe me një goditje precize nga distanca mposhti portierin uellsian.
Me të filluar pjesa e dytë, Dolberg shënoi sërish. Ishte minuta e 48-të kur pas një gabimi në mbrojtjen uellsiane, Dolberg u gjend më së miri për ta shënuar golin e qetësisë për Danimarkën.
Uellsi nuk arriti të bënte më shumë, ndërsa Danimarka pati edhe disa mundësi tjera të mira shënimi, ndërsa golin e tretë e arriti tek në minutën e 89-të.
Në minutën e 90+1 Harry Wilson u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër dhe të panevojshme.
Krejt në fund të ndeshjes Martin Braithwaite e shënoi edhe golin e katërt duke e vulosur fitoren e madhe të danezëve.
Kështu, Danimarka arrin të sigurojë kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Evropian, ndërsa për Uellsin mbaron këtu aventura e tyre.
Në çerekfinale, Danimarka do të takohet me fituesin e takimit mes Holandës dhe Çekisë.