Mjeku gjerman, Jens Kleinfeld, i cili i dha tretman mjekësor në fushë Christian Eriksenit pas arrestit kardiak, ka zbuluar se mesfushori danez i kishte hapur sytë rreth 30 sekonda pas kolapsit dhe se i ishte përgjigjur atij pozitivisht.
29-vjeçari pësoi arrest kardiak në fushë në përfundim të pjesës së parë mes Danimarkës dhe Finlandës në ndeshje hapëse të Grupit B në Euro 2020 të shtunën dhe u rikthye në jetë me defibrilator nga ekipi mjekësor i kombëtares. Ai u dërgua më pas në Rigshospitalet, një spital afër stadiumit Parken në Kopenhagë, ku ndodhet i shtrirë që prej atëherë.
Duke folur të enjten për gjendjen e tij, mjeku gjerman tha: “Ishte një çast shumë prekës, sepse në emergjenca të tilla mjekësore në jetën e përditshme, mundësit për të pasur sukses janë shumë më të vogla”
Kleinfeld, i cili i dha tretman mjekësor në fushë Eriksenit, tha për Funke: “Rreth 30 sekonda më vonë, ai i hapi sytë dhe munda të flas me të drejtpërdrejt”
Kleinefeld e kishte pyetur Eriksenin: “Shumë mirë, a je kthyer te ne?”
Mjeku gjerman tha se Erikseni iu përgjigj: “Po, jam kthyer te ju. Ta hajë dreqi, unë i kam vetëm 29 vjet”.
“Në këtë çast e kuptova se truri i tij nuk ishte dëmtuar dhe se ai ishte kthyer plotësisht”, shtoi ai.