Mungesa e shërbimeve shëndetësore po konsiderohet cenim i të drejtave themelore të njeriut për qasje në shëndetësi. Shteti deri më tani më shumë ka pasur prioritet mbështetjen financiare për trajtim jashtë vendit, se sa investimin direkt në sistem. Shumë qytetarë të Kosovës detyrohen që të shkojnë jashtë vendit për trajtim të ndonjë sëmundje.
Dhjetë persona deri më tani janë dërguar në Turqi për trajtim të djegies së rëndë. Kosova nuk ka Qendër për Trajtim të Djegieve, rastet më të lehta trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike.
Nga krerët e shtetit është thënë se sistemi shëndetësor nuk mund të funksionojë me “arnime”.
Ndërkohë që janë pikërisht këta të fundit që po kritikohen për këtë gjendje.
Nga shpërthimi i bombolës së gazit më 5 janar në Ferizaj, kishte vdekur një vajzë, e cila nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
20-vjeçarja ishte ndër katër personat që kishin shkuar për trajtim në Turqi.
Rastet tjera, me lëndime më të lehta, po trajtoheshin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike.
Në mesin e shumë kritikave për sistemin shëndetësor, ata që po mbrojnë të drejtat e pacientëve thonë se investimi në Qendrën e Trajtimit të Djegieve ofron siguri më të madhe të qytetarëve.
Kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra thotë për KosovaPress se një gjë e tillë do të kursente edhe buxhetin e shtetit.
“Mendoj se shërbimi spitalor dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të krijojnë mundësi që një qendër e tillë për djegie të bëhet në përputhje me nevojat shëndetësore të qytetarëve, pasi që garanton një siguri më të madhe për shëndetin e qytetarëve. Dhe e kursen buxhetin e tyre dhe buxhetin e shtetit”, thotë ai.
Përmes Fondit për Sigurimeve Shëndetësore deri më tani janë dërguar dhjetë persona në Turqi për trajtim, kur të njëjtit kanë përjetuar djegie të rënda.
“Në bazë të të dhënave që posedon zyra për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP), deri tani janë përkrahur 10 pacientë me djegie të rënda, të cilët janë mbuluar 100% nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor nëpërmjet marrëveshjes ndërministrore Kosovë- Turqi për trajtimin e 100 pacientëve falas brenda një viti kalendarik ne shtetin e Turqisë”, thuhet në një përgjigje.
Erblin Hoxha nga Lëvizja FOL konsideron se mungesat e shërbimeve shëndetësore janë cenim i të drejtave themelore të njeriut për qasje në shëndetësi.
Sipas tij, nuk janë të rralla rastet kur kërkohet ndihmë prej vet qytetarëve për të krijuar fond për trajtim jashtë vendit.
“Rastet e djegieve nuk janë rast ekstrem, nga i cili nuk do të ndodhnin kurrë në Kosovë që të thuhet nuk kemi nevojë për profesionistë apo për ordinancë të detajuar në dermatologji për këtë çështje. Mungesa e investimeve edhe në infrastrukturë edhe këtu vjen edhe pjesa e analizave, laboratorëve të ndryshme edhe një investim direkt në menaxhimin e sëmundjeve pak më të rënda dhe një fond specifik është dhënë pikërisht për këto raste që të dërgohen jashtë vendit, tregon një pamundësi deri tash të shtetit që me ndërmarrë veprime praktike që të rregullohet situata”, thekson Hoxha.
Për më tepër, ai shton se vendi deri më tani nuk ka pasur prioritet investimin direkt në sistem të shëndetësisë.
“Vet fakti që qeveria jep parat e taksapaguesve në Turqi, Maqedoni dhe vende të ndryshme për trajtim tregon që deri tash prioriteti ka qenë që përmes mbështetjes financiare me zgjidh problemin, e jo përmes investimit direkt në sistem të shëndetësisë. Mendoj që si Lëvizje FOL rekomandimet tona janë gjithmonë që këto fonde të shfrytëzohen në ngritje të kapaciteteve të sistemit shëndetësor që trajtimi të bëhet këtu”, shprehet ai.
Hoxha, i cili është pjesë e Lëvizjes FOL vë në theks se jo të gjithë qytetarët kanë mundësi për trajtim jashtë vendit, marrë parasysh se ka kosto shtesë.