Në shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë, amvisat përdorin kryesisht uthullën e mollës ose të rrushit. Uthullën e këtij të fundit e gjejmë në shumë varietete: balsamike, të verës së kuqe dhe asaj të bardhë.
Uthulla e rrushit në përgjithësi ofron shumë përfitime për organizmin e njeriut, të cilat do t’i gjeni të listuara në këtë artikull.
Sindroma Metabolike
Uthulla e verës së kuqe të rrushit përmban shumë antioksidantë, të cilët e mbrojnë organizmin nga sindroma metabolike. Kjo e fundit është një term që përfshin një sërë sëmundjesh dhe çrregullimesh, kombinimi i të cilave rrisin rrezikun e diabetit apo sëmundjeve kardiovaskulare. Antioksidantët tek kjo uthull ndihmojnë në parandalimin e diabetit duke ngadalëlsuar metabolizimin e insulinës. Uthulla e rrushit gjithashtu pengon bllokimin e enëve të gjakut, një faktor kyç i atakut në zemër dhe ishemisë. Këto antioksidantë rrisin nivelin e kolesterolit të mirë dhe pastrojnë enët e gjakut. Ekspertët, thonë se sa më e errët ngjyra e uthullës, aq më e pasur është ajo me antioksidantë.
Oreksi
Uthulla me bazë rrushi përmban acid acetik, që njihet për aftësinë në uljen e oreksit. Ekspertët suedezë thonë se ky acid rrit ndjesinë e ngopjes. Acidi acetik ka ndikim edhe në mëlçi dhe në mënyrën se si ky organ metabolizon glukozën. Kësisoj, uthulla e rrushit mund të jetë e dobishme për diabetikët të cilët përballen me një nivel të lartë të glukozës në gjak përpara konsumit të vakteve.
Irritimet e Lëkurës
Uthulla me bazë rrushi përdoret në shumë kura tradicionale për irritimet e lëkurës, pickimet e insekteve e të tjerë, apo djegien nga dielli. Njerëzit që kanë lëkurë të thatë apo kanë kruarje të lëkurës mund të bëjnë banjë me tretësirën e uthullës. Mjafton që në vaskën e mbushur me ujë të hidhni dy lugë uthull me bazë rrushi dhe të lejoni që ajo të kryejë funksionin e saj zbutës dhe ushqyes në lëkurë.