Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-ambasadorit të Departamentit amerikan të Shetit, James Pardew.
Osmani vlerësoi kontributin e Pardew të dhënë për sigurimin e paqes në Kosovë, derisa shprehi ngushëllime për familjarët e të ndjerit.
“Jam tejet e pikëlluar pasi dëgjova për vdekjen e Ambasadorit James Pardew. Ai pati një kontribut të madh në sigurimin e paqes në vendin tonë. Mendimet e mia janë me familjen e tij, në këto momente të vështira”, deklaroi presidentja në llogarinë e saj në ‘Twitter’.
Nga 1999’a deri më 2001’ën, Pardew ishte Zëvendës Këshilltar Special për Presidentin dhe Sekretarin e Shtetit për Demokracinë në Ballkan gjatë konfliktit të NATO-s në Kosovë dhe zgjidhjen pasuese të paqes. Në atë cilësi, Pardew u angazhua drejtpërdrejt në negociata mbi Kosovën me Presidentin Sllobodan Millosheviç të Serbisë dhe me një shumëllojshmëri të liderëve politikë të Kosovës. Ai ishte koordinatori i Uashingtonit për Misionin Ndërkombëtar të Verifikimit të Kosovës.
Pas fushatës së suksesshme të bombardimeve të NATO-s, Pardew ndihmoi në krijimin e prezencave civile amerikane dhe ndërkombëtare në Kosovë dhe në zhvillimin e institucioneve lokale të qeverisë dhe sigurisë të Kosovës.