Sunday, November 24, 2024
HomeBotaE pashembullt për Gjermaninë: 13 gazetarë arrestohen gjatë kryerjes së detyrës

E pashembullt për Gjermaninë: 13 gazetarë arrestohen gjatë kryerjes së detyrës

Policia e Berlinit njoftoi se 13 gazetarë u arrestuan të shtunën përderisa po raportonin rreth një proteste të aktivistëve për mbrojtjen e mjedisit, të cilët po e kundërshtonin ndërtimin e një autostrade në kryeqytetin gjerman.

Gazetarët ishin duke raportuar për një tubim herët në mëngjes, me ç’rast protestuesit e bllokuan vendin e punimeve për autostradën A100. Kjo protestë u organizua nga organizata “Sand im Getriebe”.

“Ata hynë në vendin e punimeve bashkë me aktivistët, prandaj i trajtuam si pjesëmarrës në protestë”, tha zëdhënësi i policisë së Berlinit, Martin Halweg.

Zëdhënësi policor shtoi se gazetarët dhe aktivistët tani po hetohen nën dyshimin se kanë hyrë pa leje në vendin e punimeve. Punimet për ndërtimin e autostradës së re po i zhvillon kompania publike, “Autobahn GmbH”.

Joerg Reichelt, drejtor ekzekutiv i sindikatës së gazetarëve, DJU, në Berlin dhe shtetin e Brandenburgut, e akuzoi policinë se ua ka pamunësuar gazetarëve kryerjen e punës së tyre. Vetë Reichelt ishte në mesin e gazetarëve të arrestuar, që mund të përballen me akuzën për hyrje të palejuar në vendin e punimeve.

Në protestë morën pjesë rreth 300 persona. Grupet për mbrojtjen e mjedisit thonë se ndërtimi i autostradave të reja në Berlin dhe në pjesë të tjera të vendit i minon përpjekjet e Gjermanisë për ta luftuar efektin serrë. Ata pretendojnë se miliardat që po shpenzohen për ndërtimin e rrugëve do të duhej të investoheshin në mënyra më ekologjike të transportit, siç janë trenat.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments