Mungesa e bashkëpunimit rajonal po paraqet barrierë të madhe për bizneset e Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë. Për këtë kryetari i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar, Nagip Fejzi kërkon që të rritet bashkëpunimi politik mes tri vendeve në mënyrë që të krijohet klimë më e përshtatshme për të bërit biznes.
Fejzi në një intervistë për KosovaPress, paralajmëron se kriza e vërtetë ekonomike fillon pas pandemisë dhe për këtë ai apelon konsumatorët shqiptarë që pavarësisht vendndodhjes të konsumojnë produktet me prejardhje shqiptare.
Ai thekson se organizimi i qeverisë është jetik për organizimin e bizneseve, teksa shton se si forum ekonomik janë angazhuar për rritjen e bashkëpunimit mes kompanive të rajonit.
“Problemi është tek politika rajonale, e cila nuk gjen rrugë për bashkëpunim. Do të thotë, derisa këto të mos bashkohen, ne do të kemi ngecje në bashkëpunim… Kur do të thirrin ata në një takim të politikanëve, kur do të thirrin ata biznesin. Ne gjithmonë i thërrasim ata, normal vijnë, janë prezent, por janë aq sa ata mendojnë dhe ikin. Tash kemi një projekt ku do të ndërrojmë agjendën, ku penalistët e parë do të jenë bizneset, pastaj do të jenë politikanët, kështu që ata do të na japin një përgjigje. Ne kemi nevojë për bashkëpunim, nuk kemi nevojë për ndihmat dhe pakot që na japin. Mjafton të na hapin rrugën që ne të bashkëpunojmë”, thotë ai.
Sa i përket pakove fiskale që qeveritë e të tri vendeve kanë dhënë për qytetarët dhe bizneset, Fejzi vlerëson se këto të fundit kanë pasur impakt pozitiv, teksa shton se ka pasur mundësi që të ndihmohen edhe më shumë nga shteti.
“Në këtë situatë, qeveritë tona aq kanë fuqi. Kur nuk ka hyrje nga bizneset, është shumë normale që qeveria nuk ka fonde të mbështet. Sido që të jetë, ka pasur mundësi që të ndihmohet më tepër, mirëpo ne do t’ia dalim si biznese… 5:36 Pakot financiare kanë ndikuar pozitivisht, i kanë marrë ata që realisht kanë pasur nevojë për ndihma. Por, ne kemi nevojë vetëm për heqjen e barrierave ndërkufitare, asgjë tjetër. Ne kemi resurse për bashkëpunim, bashkëpunojmë për aq sa mundemi, por kemi hapësirë të madhe për bashkëpunim”, shton ai.
Duke thënë se kriza e vërtetë fillon pas pandemisë, ai rekomandon konsumimin e produkteve me prejardhje shqiptare në mënyrë që të ndihmohen vendet në tejkalimin e krizës post-COVID.
“Të kemi shumë kujdes në hapat që bëjmë tash, pas pandemisë, sepse kriza tash fillon, nuk ka qenë krizë. Kriza do të jetë pas pandemisë. Kujdesi i madh mes konsumit të prodhimeve vendore. Apeloj tek të gjithë konsumatorët shqiptarë kudo që janë, të konsumojnë prodhime shqip”, porositë ai.
Kryetari i Forumit Mbarë Shqiptar, Nagip Fejzi është optimist se me vaksinimin e qytetarëve në të gjithë botën, po shmanget mundësia për një mbyllje të radhës, duke ndikuar kështu edhe në rimëkëmbjen ekonomike.