Faton Klinaku, Kryetar në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se nuk e kanë në plan njëherë që të mbajnë kuvend zgjedhor pavarësisht se u mugnojnë krerët.
Klinaku ka thënë se prej arrestimit nga Gjykata Speciale të drejtuesve të kësaj organizate, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj nuk kanë shkuar më dosje sikur fundvitit të kaluar. Ai është shprehur se nëse do t’ju binin në dorë dokumente të atilla ata përsëri do t’i bënin publike.
“Që prej arrestimit të z.Gucati dhe z.Haradinaj, nuk ka sjell më askush asgjë, dhe në këtë drejtim ne mendojmë se Prokuroria në Hagë duhet ta hetojë veten rreth rrjedhjes së atyre dosjeve nga zyrat e tyre, dhe nuk ka pasur e nuk ka nevojë që të arrestonte e mbajë në paraburgim krerët e OVL UÇK-së, që nuk kanë bërë asgjë përveç njoftimit të opinionit se Zyra e Prokurorit të Specializuar shërbehet me dosje të Serbisë e kriminelëve serbë”, është shprehur ai.
“Meqë kemi qenë dhe jemi kundër kësaj Gjykate, çdo material që na vjen e është në interes të përgjithshëm do ta publikojmë”.
Klinaku po ashtu ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të gjejnë vullnet për ta garantuar mbrojtjen në liri të të akuzuarve të Speciales.
“Në Ligjin për Dhomat e Specializuara, neni 41 pika 12 parashihet edhe mbrojtja në liri, vetëm duhet vullnet politik nga institucionet e shtetit për të garantuar këtë”, ka thënë ai për Klanin.
INTERVISTA E PLOTË:
Si po funksionon OVL e UÇK-së duke ditur se kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj janë në paraburgim në Hagë dhe a pritet që të mbahet ndonjë kuvend i organizatës për zgjedhjen e organeve të reja?
Faton Klinaku: OVL e UÇK-së kryen punë të përditshme me palë dhe aktivitete në terren. Ajo ka organet e saj Kryesinë dhe Këshillin Drejtues. Unë si kryetar në detyrë i zbatoj vendimet e organeve. Këshilli Drejtues, si organi më i lartë, nuk ka vendosur për mbajtje të Kuvendit, për shkak se krerët e Organizatës gjenden ende në paraburgim dhe ende nuk ka filluar një proces gjyqësor për ta.
Dhomat e Specializuara në Hagë javë më parë i kanë kthyer disa pajisje të sekuestruara. A janë kthyer të gjitha pajisjet, a kanë qenë në gjendjen si janë marrë dhe si e keni vlerësuar veprimin e kthimit të tyre?
Faton Klinaku: Të gjitha pajisjet, përveç pajisja e kamerave, na janë kthyer nga avokatët e z.Hysni Gucati, pajisje të cilat ata i kanë marrë nga Dhomat e Specializuara, zyra e tyre në Fushë Kosovë. Avokatët na kanë thënë se në pajisje nuk është gjetur diçka e palejueshme.
A keni kontaktuar ndonjëherë me ndonjërin prej të arrestuarve në Hagë, qoftë Gucatin, Haradinajn por edhe të tjerët? A mund të ndani diçka që është e lejueshme për t’u ndarë nga biseda që mund të keni pasur?
Faton Klinaku: Kam kontaktuar shumë herë me z.Gucati dhe z.Haradinaj, kur ata thërrasin në telefon. Kanë thënë se gjatë ditës qëndrojnë bashkë të gjithë të paraburgosurit në Hagë.
Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar me dyshimin se kanë bërë pengim të administrimit të drejtësisë, duke shpërndarë, sipas gjykatës, dosje dhe raporte që nuk ka qenë e lejueshme. Siç e dimë dhe kemi parë ka qenë dikush që i ka sjell këto dosje në zyrat tuaja. Prej arrestimit të tyre a ka ardhur më dikush për të sjellë diçka në zyrat e OVL-së dhe si do të vepronit nëse dikush përsëri do të sillte materiale të tilla?
Faton Klinaku: Që prej arrestimit të z.Gucati dhe z.Haradinaj, nuk ka sjell më askush asgjë, dhe në këtë drejtim ne mendojmë se Prokuroria në Hagë duhet ta hetojë veten rreth rrjedhjes së atyre dosjeve nga zyrat e tyre, dhe nuk ka pasur e nuk ka nevojë që të arrestonte e mbajë në paraburgim krerët e OVL UÇK-së, që nuk kanë bërë asgjë përveç njoftimit të opinionit se Zyra e Prokurorit të Specializuar shërbehet me dosje të Serbisë e kriminelëve serbë.
Ne si Organizatë e Veteranëve e kemi kundërshtuar dhe e kundërshtojmë Gjykatën Speciale, për shkak se është gjykatë njëetnike dhe merret vetëm me UÇK-në e duke u shërbyer nga dosjet e Serbisë, siç shërbehej më parë edhe UNMIK-u dhe EULEX-i, dhe nuk merret me krimet e masakrat e shkaktuara nga pushtuesi serb gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Meqë kemi qenë dhe jemi kundër kësaj Gjykate, çdo material që na vjen e është në interes të përgjithshëm do ta publikojmë.
Një çështje e diskutuar shumë javë më parë në vend është edhe garantimi i mbrojtjes në liri të ish-drejtuesve të UÇK-së. A mendoni se duhet ta bëjë Kosova këtë, ndonëse nga Qeveria dhe Presidenca kanë pohuar se nuk janë ata që mund të bëjnë diçka të tillë? Në dorën e kujt besoni se është kjo çështje dhe a keni ju si organizatë ndonjë plan nëse askush nuk lëviz në këtë drejtim?
Faton Klinaku: Në Ligjin për Dhomat e Specializuara, neni 41 pika 12 parashihet edhe mbrojtja në liri, vetëm duhet vullnet politik nga institucionet e shtetit për të garantuar këtë.
Vazhdoni ende të mendoni se Gjykata Speciale duhet të zhvendoset në Kosovë dhe ku e bazoni një kërkesë të tillë?
Faton Klinaku: Ne si OVL e UÇK, kemi kërkuar gjykatë vendore në Kosovë, që do t’i gjykonte të gjitha krimet. Kjo gjykatë nuk i gjykon krimet dhe masakrat e pushtuesit serb, prandaj nuk e kemi njohur dhe nuk e njohim sepse është një etnike dhe bazohet në dëshmitë e pushtuesit serb.
Ku e keni bazuar një kërkesë për rritje të pensioneve për veteranët e luftës?
Faton Klinaku: Në Ligjin për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me nr. 04/L -261, i cili është në fuqi, thuhet që pensioni për veteranin nuk mund të jetë më i vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë.
Ligji tjetër, për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit 04/L -261, i cili flet për kategorizimin e veteranëve e që është me nr. 05/L -141, nuk është në fuqi për shkak se nuk është bërë kategorizimi, e as që ka filluar ndonjëherë. Në nenin 16 A pika 3.1 thuhet që deri ne kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik.
Si e keni vlerësuar një deklaratë të Kryeministrit Kurti të bërë në Bruksel se Ballkani duhet të çlirohet nga kriminelët? A ka qenë e duhur në mënyrën si është thënë?
Faton Klinaku: Rreth kësaj deklarate ne kemi kërkuar publikisht nga kryeministri që të sqarohet.