Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaNagavci: Janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale e partive politike...

Nagavci: Janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale e partive politike në arsim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka deklaruar se janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale të partive politike në të gjitha nivelet e arsimit, e kjo sipas saj, ka ndikuar që rezultatet të mos jetë ato që dëshirohen në arsimin në Kosovë.

 

Nagavci teksa iu përgjigj kritikave të partive opozitare për organizimin e mësimit në pandemie për çka edhe po mbahet debat parlamentar, tha se arsimi është prioritet për qeverinë e Kosovës.

“Po pajtohem, gjendja në arsim është larg rezultateve që të gjithë ne i synojmë e i dëshirojmë dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht dhe nuk janë siç u përmend këtu fatkeqësisht dy ose tri gjenerata të humbura, por janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale e partive politike në të gjitha nivelet e arsimit në përgjithësi. Këto ndërhyrje kanë bërë që përkundër përkushtimit të jashtëzakonshëm të shumë mësimdhënësve dhe stafit tjetër në shkolla që e kryejnë punën e tyre me përgjegjësi rezultatet të mos jenë ato që i dëshirojmë. Andaj edhe kjo është prioritet për qeverinë tonë dhe unë ju lus edhe një herë të gjithëve që të reflektoni për gjithë ndikimet që keni pasur në të kaluarën dhe të ndihmoni që me një kritike konstruktive dhe me një bashkëpunim të angazhohemi për të përmirësuar këto rezultate”, tha ajo.

Nagavci tha se shifrat e të infektuarve të mësimdhënësve e nxënësve tregojnë për menaxhimin relativisht të mirë të situatës nga komuniteti i shkollës, krahasuar me institucionet tjera.

“Nga 12 mijë e 109 testime të mësimdhënësve, 3 mijë e 365 kanë rezultuar të infektuar dhe fatkeqësisht kemi pasur 29 mësimdhënës të vdekur. Ndërsa, nga 6 mijë e 653 të nxënës testuar, 2 mijë e 652 të infektuar. Këto të dhëna na tregojnë për menaxhimin relativisht të mirë të situatës nga komuniteti i shkollës krahasuar me ambientet, institucionet dhe profesionet tjera”, tha ajo.

Ajo tha se shkollat janë mbështetur me mjete mbrojtëse të mjaftueshme dhe janë pajisur me termometër.

Sa i përket përfshirjes së komuniteteve në sistemin e arsimi të lartë, Nagavci tha se në vazhdimësi po ofrojnë bursa për këto kategori.

“Në lidhje me arsimin e komuniteteve për rritjen e përfshirjes së komuniteteve në sistemin e arsimit të lartë, MASHTI në bashkëpunim me donatorët në vazhdimësi ka ofruar bursa për nxënësit e shkollave të mesme të larta. Në bashkëpunim me partnerët për vitin shkollor 2020/2021 janë ndarë 596 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian dhe e kemi po ashtu të hapur një konkurs për ofrimin e bursave për nxënësit që vijojnë mësimin në arsimin e lartë në shkollat profesionale”, tha ajo.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments