Diar Popova, i biri i Shefki Popovës, zyrtarit të vrarë të LDK’së ka deklaruar nuk kanë emër për të cilin dyshojnë në këtë rast, por që diçka e tillë nuk ka ardhur kurrë prej UÇK’së.
‘’Ne si familje kemi qenë gjithmonë të rezervuar në apostrofimin e emrave. Asnjëherë s’besojmë se vrasja ka ardhur prej UÇK-së. Ka mund të jetë prej individëve, por jo direkt prej shtabit në mënyrë të organizuar dhe zinxhirit komandues. Ne dimë anarkinë që ka ekzistuar pas luftës. Asnjëherë krimin s’ia kemi bart askujt’’, tha ai në Debat Plus.
Popova ka treguar rrethanat se si ka ndodhur vrasja e gazetarit Shefki Popovës.
“Babai im është vrarë më 10 shtator të vitit 2000 në hyrje të banesës sonë në Vushtrri, është vrasje e njëjtë siç ka ndodh me Xhemajl Mustafa e Smajl Hajdaraj. Dikush e ka ndalë rrymën ma herët, ka qenë një grup i strukturuar. Edhe hetuesia gjithmonë e apostrofon mënyrën e njëjtë kohën, pra në hyrje të banesave. Atë ditë kemi qenë në Gjilan së bashku në një ndeshje futbolli. Jemi kthyer aty në stadium, pastaj ai ka qëndruar aty me disa shokë dhe unë jam kthyer në banesë. Pastaj dikun rreth orës 22:00 ka ndodhur vrasja. Supozohet që dy veta e kanë pritur në hyrje të banesës dhe e kanë kryer vrasjen. Ne e kemi dëgjuar krismat. Unë dhe nana ime kemi qenë në banesë dhe i kemi dëgjuar krismat”, ka thënë Popova.