Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaShefi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë për vizitë dyditore në Kosovë

Shefi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë për vizitë dyditore në Kosovë

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Bajram Begaj ka arritur sot për një vizitë dyditore në Kosovë, ku është takuar me ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj dhe komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramaj.

 

Në takim me ministrin Mehaj u bisedua për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë vëllazëror, në funksion të avancimit të mëtejmë të aftësive dhe kapaciteteve të mbrojtjes së dy vendeve në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.

Ndërsa me gjeneral Ramën fokusi i takimit ishte angazhimi i përbashkët për realizimin e planit të përbashkët të veprimit bazuar në marrëveshjen e re të bashkëpunimit bilateral të nënshkruar para disa ditësh në mes ministrave Mehaj dhe Peleshi.

Gjatë diskutimit, gjeneral Rama e njoftoi gjeneral Begajn me zhvillimet në FSK si dhe të arriturat e deritashme, përfundimin e suksesshëm të operacioneve stërvitore “Defender-Europe 21”, procesin e realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së, pjesëmarrjen e kontingjentit të parë në operacione ushtarake jashtë vendit, si dhe procesin e bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë.

Nga ana e tij, gjeneral Begaj u zotua për një bashkëpunim më të intensifikuar në të gjitha fushat për realizimin e planit të përbashkët të bashkëpunimit dhe objektivave të përcaktuar të FSK-së në të ardhmen.

Gjatë ditës, gjeneral Begaj vizitoi edhe Qendrën Mjekësore të FSK-së dhe Qendrën për Studime Universitare të Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, ku takoi edhe kadetë-studentët e Shqipërisë që studiojnë në këtë qendër.

Vizita e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe delegacionit të tij në Kosovë vazhdon edhe nesër me takime tjera.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments