Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla Schwarz ka reaguar në drejtim të mediumit zviceran NZZ, të cilat kanë publikuar mbrëmë një shkrim lidhur me të dhe deklaratat rreth UÇK-së.
Gërvalla Schwarz tha se medium në fjalë ka pohuar gënjeshtra të UÇK-ja ka kryer vrasje pas përfundimit të luftës.
“NZZ publikoi pohimin e rremë faktik se UÇK-ja bëri vrasje pas përfundimit të luftës. UÇK-ja u shpërbë pas çlirimit të Kosovës në qershor 1999. Nëse krimet thuhet se janë kryer, ato janë bërë nga individë e jo nga UÇK-ja”, shkroi Gërvalla.
Ajo poashtu tha se gjatë gjenocidit në Kosovë, burra dhe gra të panumërta të UÇK-së, FARK-ut dhe të tjerëve sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar civilë të pafajshëm nga asgjësimi serb.
“Liria e medias gjithmonë duhet të mbrohet. Por kështu është e vërteta”, shtoi ajo.
Në Kosovë disa herë radhazi është kërkuar shkarkimi i ministres Gërvalla, për shkak të qasjes së saj ndaj ish-krerëve të UÇK-së si dhe deklaratave të saja të dhëna lidhur me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gërvalla në vitin 2016 kishte deklaruar se ishte e gatshme të siguronte material provë për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në të kaluarën, Gërvalla gjithashtu ka akuzuar ish-kreun e PDK-së Kadri Veseli si “kreun e një organizate që kreu krime”.
Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e emra të tjerë të UÇK-së po vazhdojnë të mbahen në burgun e Hagës, derisa në drejtim të tyre po zhvillohet një proces gjyqësor nën aktakuzat për kinse krime lufte.