Saturday, November 23, 2024
HomeBotaBiden përkujton masakrën e Tulsës: Disa padrejtësi janë të llahtarshme

Biden përkujton masakrën e Tulsës: Disa padrejtësi janë të llahtarshme

Tulsa, 1 qershor, 1921.

E gjitha filloi kur një i ri afrikano-amerikan, me emrin Dick Rowland, u akuzua për sulm ndaj një gruaje të bardhë – një pretendim që nuk u dëshmua kurrë – dhe pas thashethemeve se një turmë e njerëzve të bardhë planifikonte ekzekutimin e tij.

Një turmë e afrikano-amerikanëve – shumë prej tyre të armatosur – në përpjekje për të parandaluar ekzekutimin, u përball me një turmë të njerëzve të bardhë – disa gjithashtu të armatosur – në gjykatën ku po mbahej Rowland, duke çuar në një konfrontim vdekjeprurës, që la të vdekur dhjetë të bardhë dhe dy afrikano-amerikanë.

Pastaj, protestuesit e bardhë vranë afrikano-amerikanë, plaçkitën shtëpi dhe u vunë flakën blloqeve të lagjes Grinvud të Tulsas.

Në vitin 2001, një komision shtetëror i Oklahomës regjistroi zyrtarisht 36 të vdekur: 26 afrikano-amerikanë dhe dhjetë të bardhë.

Por, disa historianë thonë se numri i të vdekurve arrin deri në 300 njerëz – shumica e tyre afrikano-amerikanë.

Gati 10,000 njerëz mbetën të pastrehë dhe biznese të panumërta u shkatërruan, duke i dhënë fund një qendre ekonomike dhe kulturore afrikano-amerikane.

Të mbijetuarve nuk iu dha asnjë kompensim dhe kompanitë e sigurimeve mohuan shumicën e pretendimeve të afrikano-amerikanëve.

Ngjarjet kryesisht munguan në librat e historisë deri në vitet e fundit.

Audienca në Tulsa duke dëgjuar fjalimin e presidentit Biden, 1 qershor, 2021.
Audienca në Tulsa duke dëgjuar fjalimin e presidentit Biden, 1 qershor, 2021.

“Për shumë gjatë, historia e asaj që ndodhi këtu u tregua në heshtje”, tha Biden.

“Disa padrejtësi janë aq të tmerrshme, aq të llahtarshme, aq të rënda, saqë nuk mund të varrosen, pa marrë parasysh se sa përpiqen njerëzit. Vetëm me të vërtetën mund të vijë shërimi”, tha Biden.

Biden, i cili pati mbështetjen e afrikano-amerikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, u zotua se do të adresojë çështje të tilla si dhuna e policisë, racizmi dhe pabarazitë.

Qytetarët mirëpresin presidentin Biden në Tulsa, 1 qershor, 2021.
Qytetarët mirëpresin presidentin Biden në Tulsa, 1 qershor, 2021.

Biden njoftoi gjithashtu se zëvendëspresidentja Kamala Harris do të udhëheqë përpjekjet për reformën e votimit, në përgjigje të atyre që demokratët i cilësojnë si përpjekje të republikanëve për të miratuar ligje që kufizojnë mundësinë e votimit.

Republikanët i mohojnë pretendimet e demokratëve, duke thënë se ligjet në disa shtete si Xhorxhia, në të vërtetë e zgjerojnë mundësinë e votimit dhe janë më përfshirëse se në një numër shtetesh të udhëhequra nga demokratët.

Biden gjithashtu shpalli disa iniciativa të reja, që administrata e tij shpreson se do të ndihmojnë për të ngushtuar hendekun e pasurisë midis afro-amerikanëve dhe të bardhëve, si dhe do të nxisin investimet në komunitetet afrikano-amerikane, duke zgjeruar qasjen e tyre në pronësinë e shtëpive dhe pronësinë e bizneseve të vogla.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments