Ministri serb për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq i ka reaguar ashpër shefit të tij në Ekzekutiv, kryeministrit Albin Kurti, i cili deklaroi se s’mund të ketë asociacion njëetnik.
Rakiq e ka quajtur hipokrit Kurtin, ndërsa ka thënë se ai nuk dëshiron dialog dhe as normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
“Qëndrimi hipokrit i liderëve shqiptarë ndaj dialogut dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura midis Beogradit dhe Prishtinës në mënyrë paqësore ilustrohet më së miri nga deklarata e fundit e Albin Kurtit, i cili tha publikisht se Prishtina nuk ka ndërmend ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe, pra që ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit”, tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
“Kurti në të vërtetë tregoi publikisht se nuk dëshiron dialog dhe se nuk dëshiron normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është gjithashtu një shuplakë në fytyrë ndaj Bashkimit Evropian, nën kujdesin e të cilit po zhvillohet dialogu, dhe i cili është garantues i zbatimit të marrëveshjes, por edhe donatori më i rëndësishëm dhe më i madh”, tha Rakiq në një deklaratë të publikuar për media.
Sipas tij, pas kësaj duhet shtruar një pyetje.
“Pas kësaj deklarate befasuese, që përqesh gjithë dialogun dhe që vjen vetëm disa orë pas takimeve me përfaqësuesit specialë të SHBA-së dhe BE-së për Ballkanin dhe çështjen e dialogut, lind pyetja se ku janë kufijtë e durimit”, tha ai.
“Kufijtë e durimit të ndërmjetësit dhe garantuesit të dialogut, por edhe të presidentit Vuçiq, dora e pajtimit të të cilit është akoma e shtrirë për shkak të mosgatishmërisë së Kurtit për të kaluar nga lideri i opozitës në rolin e dikujt që duhet t’i bëjë vendimet dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Sepse pa zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe nuk do të ketë dialog të vërtetë ose ndonjë rezultat, i që e dënon dialogun e Kurtit paraprakisht deri në dështim. Moszbatimi i marrëveshjes nga Brukseli është vetëm një konfirmim i pozicionit të Beogradit se nuk ka asnjë bashkëbisedues në Prishtinë për zgjidhjen e çështjeve që ngarkojnë marrëdhëniet midis popullit serb dhe shqiptar në një mënyrë paqësore”, tha Rakiq.
Para disa ditësh, kryeministri Albin Kurti ia ka bërë një profil të mirë me një fjali, ministrit serb në Qeverinë e tij, Goran Rakiq.
Pasi e prezantoi para deputetëve programin qeveritar për 4 vitet e mandatit të tij në krye të shtetit, Kurti tha se “dëshiroj t’ua bëjë me nga një fjali profilin e secilit prej ministrave”. Ai vazhdoi duke prezantuar me rend anëtarët e kabinetit qeveritar, duke përmendur diçka që sipas tij e përfaqëson secilin nga ta.